Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka dështuar të nisë të enjten gjykimi në mungesë ndaj Predrag Nikoliq, Zoran Dzeletoviq, Ivan Ivanov, Sinisha Milanoviq, dhe Jovica Deniq, të cilët ngarkohen për vrasjen mizore të 5 personave civilë—pjesëtarë të një familje.
Seanca dështoi pasi nuk u paraqit asnjë avokat për të akuzuarin Dzeletoviq, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Gjykatësi Kujtim Krasniqi tha se do të kërkojë sqarime nga Oda e Avokatëve të Kosovës për mosparaqitjen e avokatit për këtë të akuzuar.
Andaj në mungesë të kushteve ligjore, seanca dështoi.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 1 qershor 2026 ka ngritur aktakuzë, me propozim për gjykim në mungesë, ndaj pesë personave të cilët akuzohen për Krime Lufte kundër Popullatës Civile. Aktakuza përshkruan vrasjen mizore të 5 personave civilë—pjesëtarë të një familje.
Të akuzuar në këtë rast janë: Predrag Nikoliq, Zoran Dzeletoviq, Ivan Ivanov, Sinisha Milanoviq, dhe Jovica Deniq.
Në aktakuzë thuhet se më datë 6 maj 1999, gjatë kohës së luftës në Kosovë, në cilësinë e policëve, të akuzuarit kanë kryer veprime të cilat janë të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës, kështu në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Jugosllavisë.
Krimet e lartëpërmendura, aktakuza thotë se të akuzuarit i kanë kryer në cilësinë e personave zyrtarë-policëve në Stacionin Policor në Fushë-Kosovë, përderisa ishin në orar të punës gjatë ndërrimit të natës.
Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit, më datë 6 maj 1999, përderisa ishin duke lëvizur me automjetin e punës në rrugën Prishtinë- Fushë Kosovë rreth orës 6 të mëngjesit, kishin parë viktimat F.B., M.B., L.B., M.B., dhe S.B., të gjithë civilë dhe anëtarë të një familje, duke ecur në rrugë.
Thuhet se Nikoliq i kishte thënë Dzeletoviqit që të ndal veturën me qëllim të legjitimimit të personave në fjalë, duke ua marrë dokumentet dhe duke i futur në veturën e policisë kinse do i dërgojnë në stacionin e trenit.
Ata thuhet se kishin vazhduar rrugën në drejtim të Sllatinës, duke kaluar nëpër pikën e kontrollit të policisë dhe ushtrisë serbe por nuk ishin ndalur aty.
Sipas aktakuzës, me të arritur në vendin e quajtur “Megja” të akuzuarit kishin ndalur automjetin, i kishin urdhëruar viktimat që të zbresin nga vetura dhe i akuzuari Dzeletoviq kishte kërkuar nga i akuzuari Ivanov pushkën automatike.
Në të njëjtën kohë, i akuzuari Nikoliq thuhet se i kishte urdhëruar viktimat të shtrihen me fytyrë për toke dhe kishte filluar të gjuante në drejtim të tyre me pistoletë të tipit CZ99. Edhe Dzeletoviqi kishte shtënë me armën automatike Crvena Zastava.
Të akuzuarit Milanoviq dhe Deniq thuhet se gjatë gjithë kohës kishin qenë prezent në vendngjarje duke kontribuar dhe ndihmuar të akuzuarit tjerë për të kryer vrasjet, dhe më pas të gjithë të akuzuarit kishin hyrë në automjetin e tyre dhe kishin vazhduar rrugën në drejtim të Lipjanit.
Aktakuza thotë se gjatë rrugës, Nikoliq i kishte dhënë Ivanovit dokumentet e viktimave me udhëzimin që ai t’i djeg ato. Pas kësaj ata ishin kthyer në stacionin policor në Fushë-Kosovë.
Sipas aktakuzës dhe sipas parimit të zbatimit të ligjit më të favorshëm, në këtë rast zbatohet ligji i cili ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale. Andaj, Prokuroria ka ngarkuar të akuzuarit me veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Jugosllavisë. Ndërsa, kjo vepër vazhdon të jetë e ndëshkueshme sipas neneve 144-147 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokuroria, në aktakuzë, ka propozuar që gjykimi të mbahet në mungesë, duke shtuar se ka bërë të gjitha përpjekjet për sigurimin e të pandehurve në procedurë dhe se të njëjtit nuk gjenden në territorin e Republikës së Kosovës. / Заклетва за правда