KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
Арбери

Дел'Оро: Историјата на албанските земји помага да се разбере животот на Мајка Тереза

Дел Оро

Фото: Косово Прес

Me meshë të shenjtë në Katedralen “Nënë Tereza”, në Prishtinë është shënuar 10-vjetori i shenjtërimit të Nënë Terezës, ku të pranishëm ishin edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, si dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

Meshën e ka udhëhequr Sh.T. Mons. Italo Dell’Oro, përfaqësues i Konferencës Ipeshkvore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili foli për figurën dhe trashëgiminë e Nënë Terezës, duke e cilësuar atë si një shembull të dritës dhe shërbimit ndaj të varfërve.

Dell’Oro, me origjinë italiane, tregoi se pas shugurimit kishte shkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku kishte qëndruar për vite me radhë.

Dell’Oro tha se historia e Kosovës dhe e trojeve shqiptare ndihmon për të kuptuar më mirë jetën dhe përjetimet e Nënë Terezës, duke përmendur edhe historinë e krishterimit në këto troje.

“Dëshiroj t’ju falënderoj për mikpritjen dhe faktin se po ma jepni mundësinë të shoh një copë të realitetit dhe botës suaj, sepse, edhe pse kam lindur në Itali, është një pjesë që unë nuk e njoh. Unë e pyes veten, dhe ju e keni pyetur veten, se pse Zoti e zgjodhi një grua nga ky vend. Një grua që është e njohur në krejt botën dhe motrat e saj të bamirësisë janë të pranishme në gjithë botën. Historia juaj, duke filluar nga ungjillëzimi i Shën Palit në trojet ilire, prej atij momenti deri në të sotmen, në idetë dhe në çështjet nacionale, etnike dhe fetare, historia juaj është dëshmia më e mirë për ta kuptuar jetën e Nënë Terezës dhe errësirën që e përjetoi duke e parë errësirën në vendin tuaj dhe në botë”, tha ai, raporton “KosovaPress”.

Ipeshkvi amerikan u shpreh i lumtur që kishte mundësinë të kremtonte meshën në Katedralen “Nënë Tereza”, në Prishtinë, duke theksuar se Nënë Tereza, ndonëse ishte bijë e këtij vendi, tashmë i përket mbarë botës.

E ipeshkvi i Kosovës Imzot Dodë Gjergji tha se feja dhe kombi janë pjesë e identitetit shpirtëror të njeriut, duke falënderuar përfaqësuesit e Ipeshkvisë, autoritetet politike dhe diplomatike që morën pjesë në këtë shënim.

“Kjo është feja jonë, kombin e kemi ngado që jemi, e kemi pjesë të identitetit shpirtëror, jo vetëm të gjakut... I falënderoj të gjithë të tjerët, duke filluar nga përfaqësuesit e Ipeshkvisë, të autoriteteve politike dhe diplomatike”, tha ai.
Pas meshës së shenjtë, aktiviteti vazhdoi me koktej.