KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
Арбери

Општинските долгови го оставија QKMF во Феризај без електрична енергија речиси еден месец

Општина Феризај

Borxhet e Komunës së Ferizajt ndaj KEDS-it, i kanë lënë pa energji elektrike tash e një muaj Qendrat e Mjekësisë Familjare në Ferizaj dhe shumicën e ambulancave nëpër fshatra. Komuna ka nisur t’i shlyejë obligimet, ndërsa furnizimi me rrymë është rikthyer vetëm pas disa javësh. Përveç ndërprerjes së energjisë, qytetarët ankohen edhe për shërbimet shëndetësore në këtë komunë

Qendrat e Mjekësisë Familjare në Ferizaj dhe shumica e ambulancave nëpër fshatra kanë mbetur pa energji elektrike për shkak të borxheve që Komuna e Ferizajt i kishte ndaj KEDS-it.

Drejtoresha e QKMF-së, Nadire Ymeri, nuk pranoi të deklarohej para kamerës, por në një përgjigje me shkrim tha se furnizimi me energji elektrike është rikthyer një ditë më parë.

Sipas saj, gjatë periudhës së ndërprerjeve, shërbimet shëndetësore janë ofruar me riorganizim të punës dhe me ndihmën e gjeneratorëve.

“Nga fundi i muajit shtator, ka pasur ndërprerje të kohëpaskohshme të rrymës elektrike nga KEDS-i në QKMF dhe në disa QMF për shkak të borxhit të cilin e kemi pasur ndaj tyre. Në Qendrën e Emergjencës Primare, ku ofrohen shërbimet shëndetësore(kujdestari) 24h në 7 gjatë javës nuk ka pasur asnjëherë ndërprerje të rrymës elektrike. Të gjitha shërbimet shëndetësore janë ofruar për pacientët, me një riorganizim të punës dhe me angazhimin e stafit shëndetësor. Për funksionimin e pajisjeve dhe aparaturave kemi siguruar energjinë elektrike nga gjeneratorët që i kemi në dispozicion. Para dy ditësh është bërë pagesa e faturave dhe është lëshuar rryma elektrike në QKMF dhe gjatë ditës së djeshme edhe në QMF-të tjera ku nuk ka pasur rrymë elektrike”, ka bërë të ditur Ymeri.

Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Ferizaj, Brahim Osmani, ka thënë se borxhi i Komunës ndaj KEDS-it arrin në rreth 700 mijë euro.

“Prej gushtit, QKMF-të edhe nëpër fshatra nuk kanë funksionuar për shkak të borxheve të mëdha që komuna e Ferizajt i ka ndaj KEDS-it, rreth 700 mijë euro borxh dhe nuk kanë funksionuar tamam si duhet dhe nuk kanë pasur energji elektrike... Siç e dini Komuna e Ferizajt përballet me borxhe të shumta për shkak të keq menaxhimit dhe keqpërdorimeve të kontratave të cilat e kanë ndodh ndër vite dhe përmbaruesit po ua marrin paratë”, është shprehur Osmani.

Edhe burime të KOHËS brenda Komunës kanë thënë se borxhet e akumuluara ndër vite kanë shkaktuar ndërprerjen e energjisë elektrike në këto institucione shëndetësore.

Ndërkaq, KEDS-i, në një përgjigje me shkrim për KOHËN, ka bërë të ditur se ndërprerja e furnizimit me energji elektrike është pasojë e borxhit të papaguar të Komunës së Ferizajt ndaj KESCO-s.

“Ndërprerja e furnizimit me energji elektrike ka qenë përgjegjësi e Komunës së Ferizajt, për shkak të borxhit të papaguar ndaj KESCO-s. Pas zotimit të Komunës për sigurimin e mjeteve për pagesën e borxhit, furnizimi me energji elektrike është rikthyer. Theksojmë se konsumatorët njoftohen paraprakisht për borxhet e papaguara, në mënyrë që të kenë mundësi t’i përmbushin obligimet e tyre financiare dhe të shmangin ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike”, thuhet në përgjigjen e KEDS-it.

Ndërkohë, qytetarët në Ferizaj, përveç problemeve me furnizimin me energji elektrike në qendrat shëndetësore, janë ankuar edhe për cilësinë e shërbimeve mjekësore në këtë qytet.

“Unë isha në ambulancë specialistike këtu, orarin e kanë deri në 15:00. Unë shkova me pastru “varrën” nuk është as kush, motra veç më ka enë shko anej, shko knej. U detyrova me ardh këtu të Mjekësia Familjare që nuk është përgjegjëse për këtë punë hiq edhe nuk mora shërbim, mezi e kryva punën e pastrova “varrën”, jam i operum. Mjekësia është zero, i bëjë thirrje ministrisë së drejtësisë dhe drejtorisë së shëndetësisë së Ferizajt le ta kryejnë punën qysh duhet. Puna është zero. A i mbikëqyr këta njerëz naj kush nuk e di?, ka thënë qytetari Granit Neziri.

Koha ka provuar të kontaktojë zëdhënësen e Komunës së Ferizajt, drejtorin e Shëndetësisë në këtë komunë si dhe kryetarin e Komunës porse të njëjtit nuk janë përgjigjur.