KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
Арбери

Бизнис со студентски дом

студентски домови

Në Qendrën Studentore në Prishtinë ka filluar vendosja e studentëve nëpër konvikte. Me nisjen e këtij procesi, në rrjete sociale, janë shfaqur njoftime ku studentët nxjerrin në shitje vendet që i kanë fituar me konkurs. Drejtori i Qendrës Studentore thotë se ata që bëjnë një gjë të tillë, vitin pasues nuk do të mund të aplikojnë sërish. Banimi dhe ushqimi në këtë qendër është 35 euro në muaj

Nga 1 tetori deri më 7 tetor është periudha kur nis akomodimi i rreth 4 mijë studentëve të cilët e kanë fituar të drejtën e banimit dhe ushqimit në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.

Megjithatë, gjatë procesit të akomodimit janë shpërndarë njoftime nga ana e studentëve që ofrojnë për shitje vendin e fituar nëpërmjet procedurave konkurruese.

Këtë praktikë që po vazhdon, e konfirmon kryetari i Parlamentit Studentor të Universitetit të Prishtinës, Flon Kastrati.

“Dukuria është shfaqur edhe në vitet e mëhershme. Sa herë fillon pranimi i studentëve në Qendrën e Studentëve, e hasim si dukuri. Viteve të fundit kanë nisur të merren masa më të rrepta kundër këtij fenomeni”, ka deklaruar Kastrati.

Për njoftimet e shfaqura në rrjete sociale, drejtori i Qendrës Studentore, Ekrem Rudari, thotë se nëse janë të vërteta, do të identifikohen.

“Ne e kemi një komision që është duke i përcjellë këta studentë, mirëpo jo shumica, por mbi 90 % janë fake – tallen me njëri-tjetrin. Mirëpo, ka edhe ndonjë rast, por ato raste çdo herë i kemi zënë, e kemi kontrollin, sigurimin, recepsionistët, njerëzit e konvikteve që kontrollojnë vazhdimisht”, ka thënë Rudari.

Rudari tha se edhe pagesat në konvikt lëshohen vetëm me letërnjoftim, gjë që sipas tij, e pamundëson këtë dukuri.

“Përtej nëntori nuk mundet asnjë student të kalojë nëse ka blerë vend apo dikush ka shitur. Normal që ata studentë që i zëmë, menjëherë përjashtohen nga konvikti dhe hynë në listën e zezë dhe nuk mund të aplikojë gjatë viteve të ardhshme”.

Kreu i Parlamentit studentor, Flon Kastrati, u bën thirrje kolegëve të cilët i përfaqëson, që të mos përfshihen në veprime të tilla, sepse e dëmtojnë imazhin e Qendrës së Studenteve dhe të Universitetit.

“Kryesisht u bëjmë thirrje studentëve që ta ndalin këtë fenomen për shkak se ish dashur që studentët që kanë nevojë për konvikte të pranohen edhe në konvikt. Edhe kjo shitja përveçse që s’po i jep pamje të mirë Universitetit edhe qendrës së studentëve, tani po ndikon edhe te këta të tjerët që nuk janë pranuar”, është shprehur Kastrati.

Këtë vit për 4 mijë vende akomodimi, aq sa janë, në këtë Qendër kanë aplikuar rreth 6 mijë studentë. Megjithatë, 2 mijë të tjerët që nuk janë pranuar, e kanë të drejtën të ushqehen në mensë.

Kostoja e vendosjes dhe ushqimit në Qendrën e Studentëve në Prishtinë është 35 euro në muaj. Për banim ndahen 20 euro në muaj, ndërsa për ushqimin në mensë 15 euro në muaj.