KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
Арбери

Народниот адвокат скептичен во врска со законските измени во Законот за специјални мерки: Битката е добиена на суд

Наим Ќелај

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, është shprehur skeptik se ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara do të jenë ndonjë ndihmesë për katër ish-udhëheqësit të UÇK-së që u dënuan në shkallë të parë me 81 vjet burgim, duke vlerësuar se beteja për drejtësi duhet të zhvillohet në gjykatë dhe jo përmes ndryshimeve ligjore.

Qelaj ka thënë se e respekton vullnetin e qytetarëve të shprehur përmes përfaqësuesve të tyre në Kuvend, por ka theksuar se mbetet të shihet se çfarë ndikimi do të kenë këto ndryshime në punën e Dhomave të Specializuara.

“Askush nuk mund t’ia ndalojë Kuvendit të hartojë ligje, është e drejtë dhe është zgjedhje e tyre. Por sa do të ndryshojë ky ligj, unë jam skeptik qysh në fillim, sepse betejat për drejtësi fitohen në gjykatë dhe jo me ndryshime ligjore”, ka thënë Qelaj në “60 Minuta” të KTV-së. 

Ai ka shtuar se, pas dekretimit nga presidentja, ligji do të hyjë në fuqi dhe nuk sheh arsye që zbatimi i tij të kontestohet, megjithëse efekti juridik në raport me Dhomat e Specializuara mbetet për t’u parë. 

Ndërkohë në raportin e publikuar gjatë ditës së sotme nga institucioni i Avokatit të Popullit ngrihen shqetësime edhe për mungesën e mekanizmave mbikëqyrës ndaj Gjykatës Speciale, duke thënë se ajo funksionon në mënyrë autonome dhe pa një kontroll demokratik nga institucionet e Kosovës.

Sipas tij, mungesa e monitorimit dhe e llogaridhënies mund të rrisë rrezikun e veprimeve arbitrare. Megjithatë, ai ka theksuar se nuk po pretendon se gjykata ka vepruar domosdoshmërisht në mënyrë arbitrare, por se mënyra se si ajo u është përgjigjur ndonjëherë institucioneve të Kosovës ka ngritur shqetësime të tilla.

“Kur kësaj ia shtojmë edhe mungesën e kontrollit demokratik nga monitorimi i seancave prej organizatave të specializuara, rritet brenga, shtohet shqetësimi dhe krijohet mundësia që gjykata të veprojë pa kontroll e pa llogaridhënie”, ka deklaruar ai.

Avokati i Popullit ka thënë se institucionet e Kosovës kanë pasur mundësi ligjore për të krijuar mekanizma të tillë mbikëqyrës, por sipas tij, shqetësimet e ngritura më herët nuk janë trajtuar sa duhet.

Ai ka përmendur gjithashtu shqetësimet lidhur me kohëzgjatjen e paraburgimit, pranueshmërinë e provave, monitorimin e komunikimeve dhe pavarësinë e mekanizmave mbikëqyrës, duke vlerësuar se mungesa e një elementi vendor dhe e mbikëqyrjes institucionale ka ngritur pikëpyetje për respektimin e standardeve të një procesi të drejtë dhe të paanshëm.

“Edhe tash nuk është vonë të bëhet”, ka thënë Qelaj, duke shtuar se mbrojtja dhe mbikëqyrja në këtë gjykatë duhet të jenë të tilla që të garantojnë respektimin e standardeve për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm.