Edhe pas ndryshimit të qëndrimit të LDK-së për çështjen e presidentit, analistët politikë nuk shohin gatishmëri te palët politike për ta tejkaluar krizën në funksionalizimin e institucioneve. Sipas tyre, hendeku po thellohet nga dita në ditë.
Analistë politikë shohin rritje të hendekut mes palëve politike, edhe pas përcaktimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës që të mbështesë një kandidat jopartiak e konsensual për president.
Ditën kur ka dhënë qëndrimin për presidentin, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se duhet fokusuar fillimisht te konstituimi i Kuvendit, që është kërkesë edhe e dy partive të tjera parlamentare shqiptare, Partisë Demokratike dhe Aleancës. Ndërkaq kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka insistuar se fillimisht duhet marrëveshje për presidentin.
Analisti politik, Artan Muhaxhiri, fajin ia ka lënë Vetëvendosjes.
“Jemi në një situatë tronditëse, sepse ndonëse është pjesa e dytë e vitit të dytë të bllokadës, çdo ditë e më tepër hendeku mes palëve po zgjerohet dhe në vend se të kemi një normalitet, po shohim një shkelje brutale të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për 30-ditshin, vendimin e Gjykatës Supreme për pamundësinë e mbajtjes së dy posteve dhe një lloj manipulimi bullizues që të imponohet kërkesa që presidenti t’i takojë Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë ai.
Që nga certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit, Kurti ka shprehur qëndrimin për president jopartiak e konsensual. E, takimet që ka pasur me kryetarin e PDK-së dhe atë të LDK-së, nuk kanë prodhuar marrëveshje për këtë post.
исто така
ПДК и Алијансата ја одбија средбата поканет од Хаџиу
Analisti politik Basri Muja ka thënë se ka një zgjidhje që do të mund ta zhbllokonte situatën e tashme politike.
“Formula këtu mund të jetë një marrëveshje paraprake për një marrëveshje institucionale: të konstituohet Kuvendi dhe të formohet Qeveria, por se njëkohësisht të ketë edhe një zotim politik që menjëherë të nisin negociatat për një president konsensual, apartiak, për zgjedhjen e të cilit të gjitha partitë parlamentare do të garantonin votat e tyre”, ka thënë Muja.
Sipas tij, me këtë formulë, asnjë nga subjektet politike nuk do të shihej humbëse.
“Nuk do të hiqte dorë askush nga pozicioni i vet, derisa shmangia e një bllokade institucionale është shumë e mundshme”, ka thënë tutje ai.
E, Muhaxhiri ka thënë se, krahas zhbllokimit të situatës, duhet menduar edhe për efektin që do të ketë zgjedhja e presidentit, që sipas tij, duhet të jetë ose konsensual ose duhet t’i takojë opozitës.
исто така
Аналитичарите гледаат зголемен интерес за ЛДК за коалиција
“Vetëm në këtë mënyrë do të duhej të kishte ndarje realiste, normale të pushtetit edhe në bazë të vendimit të elektoratit, por duket që sikur herëve të tjera ky normalitet të ndodhë pasi nuk shohim asnjë iniciativë as nga zotëri Kurti as nga opozita që të shkohet drejt një zgjidhjeje të gjithëpranueshme”, ka deklaruar Muhaxhiri.
Që nga shkurti i vjetëm kur janë mbajtur zgjedhjet e rregullta parlamentare, subjektet politike nuk kanë treguar gatishmëri bashkëpunimi. Për pasojë, nga atëherë janë mbajtur edhe dy palë zgjedhje të reja të parakohshme.