KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
Арбери

600 граѓани се вакцинирани против сезонски грип за четири дена, најголем интерес има кај постарите лица

Вакцина

Qindra qytetarë i janë drejtuar qendrave të mjekësisë familjare për t’u vaksinuar kundër gripit sezonal. Vetëm në katër ditët e para të vaksinimit, në QKMF-në e Prishtinës janë vaksinuar rreth 600 persona, ndërsa interesimi më i madh është te të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.

Vetëm katër ditë nga fillimi i vaksinimit kundër gripit sezonal, rreth 600 qytetarë janë vaksinuar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë.

Gani Zabeli, banor i lagjes Kalabria në Prishtinë, thotë se vaksinën kundër gripit e merr çdo vit.

“Më shumë se 15 vjet, për çdo vjeshtë e marr këtë vaksinë për t’u mbrojtur nga këto sëmundjet dimërore, që janë kryesisht inflamacione, viruse e kështu. Meqenëse këto janë gratis, shteti i siguron dhe kemi një shërbim të shkëlqyeshëm. Asnjë minutë, dy nuk prita dhe e mora vaksinën këtu. Pse mos ta marrë për të fituar imunitet në organizmin tone”, tha Zabeli.

E doktoresha në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, Rineta Turku, thotë se interesimi më i madh për vaksinim është te personat e moshuar dhe ata që vuajnë nga sëmundjet kronike.
“Procesi i vaksinimit kundër gripit sezonal ka filluar prej ditës së hënë, më 22 tetor. Qytetarët mund ta kryejnë këtë shërbim në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe në 15 qendra të tjera të Mjekësisë Familjare, ku ka njësi të vaksinimit. Interesimi i qytetarëve është jashtëzakonisht i mirë. Më të interesuar janë personat me sëmundje kronike dhe personat e moshuar”, tha Turku.

Vaksinat kundër gripit sezonal kanë arritur në Kosovë me tri javë vonesë. Ato ishin paraparë të vinin në fund të shtatorit, në mënyrë që vaksinimi të niste në fillim të tetorit.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), gripi sezonal është një infeksion akut i rrugëve të frymëmarrjes, që përhapet lehtësisht nga personi në person, kryesisht përmes pikave që lirohen gjatë kollitjes dhe teshtitjes.

Ndonëse shumica e të infektuarve shërohen brenda një jave, gripi mund të shkaktojë komplikime serioze, veçanërisht te personat e moshuar, fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna dhe personat me sëmundje kronike.

Vaksinimi vjetor ndihmon në uljen e rrezikut për forma të rënda të gripit dhe komplikime shëndetësore. OBSH-ja rekomandon gjithashtu respektimin e masave të higjienës, përfshirë larjen e rregullt të duarve dhe mbulimin e gojës e hundës gjatë kollitjes ose teshtitjes.