KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
Арбери

14 училишта се затвораат поради намален број на ученици

Училиште

Rënia e numrit të nxënësve po i çon drejt mbylljes shkollat në Kosovë. Ministria e Arsimit ka shqyrtuar kërkesat për ndërprerjen e veprimtarisë së 14 shkollave, ndërsa gjatë vitit 2026 ka pranuar edhe dy kërkesa të reja, të cilat janë ende në trajtim. Në disa komuna, shkollat tashmë janë mbyllur, ndërsa në nivel vendi numri i nxënësve është ulur për më shumë se 37 mijë krahasuar me vitin shkollor 2019/20

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka njoftuar se 14 shkolla në mbarë vendit janë drejt mbylljes për shkak të rënies së numrit të nxënësve ndër vite.

Pos tyre, nga MASH-i kanë bërë të ditur se gjatë këtij vitit kanë pranuar edhe dy kërkesa të tjera për mbyllje më të njëjtat arsye e për to ende nuk është vendosur. 

“Bazuar në kërkesat e Drejtorive Komunale të Arsimit dhe në përputhje me Udhëzimin Administrativ Nr. 10/2023 për kriteret dhe procedurat e themelimit dhe pushimit të veprimtarisë së institucioneve të arsimit parauniversitar, janë shqyrtuar 14 kërkesa për ndërprerjen e veprimtarisë edukativo-arsimore të shkollave, për shkak të numrit të pamjaftueshëm të nxënësve. Për vitin 2026, deri më tani, MASH-i ka pranuar dy kërkesa nga komunat, të cilat janë në trajtim”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Vetëm në Komunën e Podujevës, gjatë tre vjetëve të fundit janë mbyllur 4 shkolla.

Drejtori i Arsimit në këtë komunë, Avni Fetahu, ka thënë se kjo është bërë edhe për socializimin më të mirë të nxënësve.

“Në Komunën e Podujevës, gjatë tre vjetëve të fundit janë mbyllur gjithsej 4 shkolla, të cilat kanë funksionuar me një numër shumë të vogël nxënësish, nga 8 deri në 12 nxënës. Vendimi për mbylljen e tyre është marrë kryesisht për shkak të numrit shumë të ulët të nxënësve dhe me qëllim që ata të sistemohen në shkollat më të afërta, ku kanë mundësi më të mira për socializim, bashkëpunim dhe zhvillim të plotë edukativo-arsimor”, ka thënë Fetahu.

Fshatrat ku janë mbyllur këto shkolla janë Zhiti, Surdull, Popov dhe Lupç i Epërm.

Fetahu ka thënë se këtë vit kjo komunë nuk ka hapur konkurs për mësimdhënës, për arsye se mësimdhënësit që kanë punuar në këto shkolla, të cilat janë mbyllur, janë sistemuar në shkollat më të afërta.

Në këtë komunë, më 2026 janë duke e ndjekur arsimin parauniversitar 2 mijë e 91 nxënës më pak sesa më 2022.

Edhe drejtori i Arsimit në Komunën e Ferizajt, Afrim Llabjani, ka bërë të ditur se deri këtë vit është mbyllur një shkollë, ndërsa një tjetër është në procedurë dhe pritet të mbyllet vitin e ardhshëm.

Edhe në këtë komunë është shënuar rënie e numrit të nxënësve.

“Krahasuar me vitin shkollor 2019-2020 e deri në vitin shkollor 2025-2026, kemi rënie të numrit të nxënësve prej 2 mijë e 397 nxënësish”, ka thënë Llabjani.

E në nivel vendi, numri i nxënësve është ulur për mbi 37 mijë, nga viti shkollor 2019/20 në krahasim me vitin shkollor 2025/26.