Arbëri

Turistët nuk dinë se nga të drejtohen për të vizituar trashëgiminë kulturore të Prishtinës

Sahatkulla dhe muzeu etnologjik janë vetëm disa nga vlerat e trashëgimisë kulturore të Prishtinës, që janë atraksion për shumë vizitorë.

Numri i turistëve që e vizitojnë kryeqytetin po rritet çdo ditë dhe çka më së shumti dëshirojnë të shohin është ana historike e tij.

Por, për Josephine Perez, e cila po qëndron për herë të parë në Prishtinë, është mjaft e vështirë të gjejë lokacionin e qendrës historike dhe të dijë për gjërat tjera që mund të bëjnë gjatë qëndrimit në kryeqytetin kosovar.

“Mendoj se është shumë e rëndësishme që Prishtina të ketë diçka më shumë për neve turistëve. Nuk e dimë sigurt se çfarë do të bëjmë, jemi duke u sjellë vërdallë dhe po e shikojmë qytetin por nuk po dimë se ku të shkojmë për drekë, cilat janë vendet më të mira për këtë, nuk po dimë se ku të gjejmë ndonjë informacion. Prishtina po duket interesante por neve do të na pëlqente të shohim edhe anën historike të qytetit”

Kjo kioskë, e cila ishte vendosur që të shërbejë si qendër informative për turistët, ka dy vjet që qëndron e zbrazët këtu në sheshin Nënë Tereza.

Turistët tjerë që e vizitojnë Prishtinën dëshirojnë që kjo qendër të jetë funksionale.

“Mendoj se Prishtina është shumë e bukur, shumicën e kohës shkoj për shoping e për kafe, por nuk di për muzetë e gjerat tjera historike. Një qendër informative për turistët, ku do të mund të gjenim detaje për qytetin, do të ishte shumë e dobishme për ne si turistë por edhe e domosdoshme për zhvillimin e turizmit këtu”

Komuna së fundi ka paralajmëruar se pos që do të funksionalizohet kjo kioskë, Prishtina për herë të parë do të bëhet edhe me panele turistike që do të shërbejnë për orientimin e turistëve.

Deri në muajin gusht pritet që të jenë gati rreth 13 të tilla, që do të vendosen nëpër pikat kryesore turistike të qytetit.