Arbëri

Posti i nënkryetarit të dytë mban peng koalicionin qeverisës në Prishtinë

Shpend Ahmeti ende nuk e ka marrë asnjë përgjigje nga Lëvizja Vetëvendosje në lidhje me propozimin për koalicion në bashkëqeverisjen në Prishtinë, në të cilin aktualisht janë përfshirë gjashtë subjekte politike. Ish-subjektit të tij Ahmeti ia ka ofruar katër drejtori. Negociatat kanë ngecur për postin e nënkryetarit të dytë, të cilin po synon ta ketë VV-ja dhe të cilin Ahmeti ia ka rezervuar Muhedin Nushit, të cilin po e prezanton si njeri pa përkatësi partiake.

Partisë që e drejton vetë Ahmeti, PSD-së, ia ka lënë tri drejtori, sa ia ka lënë në dispozicion edhe AAK-së e AKR-së. Kurse nga një drejtori ia ka ofruar LB-së dhe Alternativës, shkruan sot Koha Ditore.

Për ndarjen kësisoj të hises qeverisëse, Ahmeti ende nuk ka marrë përgjigje nga VV-ja. Një të tillë do ta ketë gjatë javës në vijim, kur ky subjekt do të mbajë mbledhjen e kryesisë së partisë.

Kështu ka bërë të ditur kryetari i Degës së LVV-së për Prishtinën, Arben Vitia, i cili njëkohësisht është edhe drejtor i Shëndetësisë në Komunë, që nga mandati i parë i Ahmetit, si kryetar komune.

Ahmeti ia ka adresuar ofertën e tij LVV-së përmes një emaili, i cili pastaj menjëherë edhe është bërë publik nga bashkëpunëtorët e tij, ku thuhet se VV-ja do të ketë katër drejtori në Komunë, ndërsa do të rishqyrtojë mundësinë edhe për drejtorinë e pestë, pas një vlerësimi 6-mujor të koalicionit me VV-në.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)