Arbëri

Kërkohen hetime për konkursin e anuluar të NPB-së për lokalet në Pejton

Komuna e Prishtinës ka ftuar Prokurorinë dhe Policinë që të hetojnë konkursin e anuluar të Ndërmarrjes Publike Banesore, për lokalet e saj në lagjen Pejton, raporton KTV.

Shkak për këtë është bërë publikimi i një audio-incizimi të bisedës së kryeshefit të kësaj ndërmarrjeje, Nexhat Kryeziu me ish-kryesuesin e bordit, Liridon Latifi, ku dyshja flasin për favorizim të bizneseve në këtë konkurs ose anulim të tij nëse nuk kryhen favoret.

Në një konferencë të jashtëzakonshme, aksionari i komunës në këtë ndërmarrje, Dren Kukaj, ka thënë se kryetari Shpend Ahmeti kishte kërkuar sqarime nga Kryeziu lidhur me anulimin e konkursit, por - në përgjigje - nuk i ka marrë ato. Ai ka thënë se mandati i bordit dhe kryeshefit ekzekutiv ka skaduar në janar dhe se nga atëherë komisioni i aksionarëve ka kërkuar që ata të mos marrin asnjë vendim me arsyetimin se është jolegjitim.

Sipas Kukajt, me rekomandim të MZHE-së, komisioni i aksionarëve, para shkarkimit të Qëndrim Sahitit, ka anuluar vendimin për bordin e përkohshëm dhe pastaj e ka caktuar kryeshefin e ri, Hajdar Hoxha. Ish-kandidati i LVV-së për deputet, Nexhat Kryeziu, i cili vazhdon të mbajë postin e kryeshefit të ndërmarrjes, ka qenë i paqasshëm në thirrjet e televizionit të mërkurën.