Arbëri

Shkolla e muzikës, pa objekt

Ka më shumë se dy vjet që nxënësit e shkollës së muzikës “Prenk Jakova” i zhvillojnë mësimet në objektin e shkollës së mjekësisë “Ali Sokoli” në kryeqytet.

Me premtimin se shumë shpejt kjo shkollë do ta ketë objektin e saj, drejtuesit e saj pranuan të zhvendosen në këtë objekt, pas protestave që kishin bërë për të kundërshtuar qëndrimin në objektin e shkollës ekonomike “Hoxhë Kadri Prishtina”, për shkak të kushteve jo të mira.

Drejtoresha e shkollës thotë se krahasuar me objektin e kaluar, kushtet në këtë objekt janë më të mira.

Megjithatë, sipas saj, shkollës së vetme të muzikës në kryeqytet i duhet një objekt adekuat.

Kushte më të mira kërkojnë edhe nxënësit e kësaj shkolle.

Viola Rrecaj thotë se një objekt i ri do të ishte motiv shtesë për ta.

Në kohën e Isa Mustafës nisi së ndërtuari objekti për këtë shkollë në të njëjtin lokacionin ku ndodhej ai i vjetri, por u ndërpre kur drejtimin e Komunës e mori Shpend Ahmeti, me arsyetimin se projekti për ndërtimin e objektit nuk ka qenë në përputhje me planin urbanistik.

Që nga ajo kohë, vendi ka mbetur në këtë gjendje, që për banorët e lagjes përbën rrezik, sidomos për fëmijët.

Ndërkohë, ende nuk është vendosur për një lokacion të mundshëm, ku do të ndërtohej shkolla e muzikës, por kërkesë e drejtuesve të saj mbetet një lokacion në qendër, për shkak të vijueshmërisë së nxënësve nga e gjithë Kosova.