Arbëri

19 nxënës të arrestuar për 5 muaj për drogë në shkolla

Dyfishimi i numrit të veprave penale për posedim dhe përdorim të narkotikëve në Prishtinë, ka qenë shqetësimi kryesor i ngritur nga Policia në mbledhjen e së mërkurës të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi.

Aty u tha marihuana mbetet droga më e përdorur dhe se të rinjtë e moshave 18-22 vjeç janë përdoruesit më të mëdhenj të saj.

Po atë ditë, në një takim me përfaqësues të organeve të rendit, i pari i Qeverisë, Ramush Haradinaj, kërkoi angazhim shtesë për luftimin e narkotikëve në shkolla.

“Jemi shumë të përkushtuar që ta rrisim luftën kundër dukurive negative, me theks të veçantë luftën kundër narkotikëve në shkolla dhe afër tyre, dhe për këtë, është i i nevojshëm shtimi i masave nga organet e rendit dhe të sigurisë”, ka thënë Haradinaj.

Shqetësuese, sipas defektologut Safet Blakaj, është rritja e vazhdueshme e përdorimit të marihuanës nga fëmijët.

Përderisa, rënien e heroinës e sheh si diçka të mirë, sipas Blakajt, brengosëse është rritja e përdorimit të kokainës, veçmas në kryeqytet.

Edhe pse i cilëson si të domosdoshme, Blakaj thotë se aksionet e policisë në shkolla, nuk janë të mjaftueshme

Safet Blakaj, Drejtues i Qendrës Mediko-Psikoterapeutike “Labirint”
“Nuk e përkrah idenë e bastisjes së shkollave, ka qenë e nevojshme, por kjo nuk duhet të mjaftojë, Policia duhet t’i godasë rrjetet që bëjnë trafikimin e drogave”

Për përmirësimin e gjendjes, ai rekomandon institucionet të punojnë në programe parandaluese.

Gjatë 5 muajve të parë të 2018-s, Policia në Prishtinë, ka arrestuar 115 persona për posedim ose përdorim të lëndëve narkotike si dhe ka hapur 84 raste.

19 nga të arrestuarit janë nxënës, ndërsa 96 nga të arrestuarit nuk janë nxënës.

17 nga të arrestuarit janë shpërndarës ose shitës të drogave.

Për pesë muaj, sipas policisë, janë bërë mbi 5100 patrullime rreth shkollave si dhe mbi 2300 vizita në shkolla.