Arbëri

Problemi me kanalizim, temë diskutimi mes komunës së Prishtinës dhe KfW-së

Descriptive Text

Komuna e Prishtinës sot ka diskutuar me një delegacion të Bankës Gjermane për Zhvillim lidhur me investimet e ardhshme në rrjetin e kanalizimit dhe në kolektorë.

Drejtori i Investimeve Kapitale dhe Menaxhimit të Kontratave, Gëzim Mehmeti, ka informuar Kirk Mildnerin, drejtor i divizionit për infrastrukturë komunale dhe transport për Evropën juglindore dhe Rene Eschemanin, drejtor i zyrës për Kosovë dhe Maqedoni, për problemet e Prishtinës me kanalizim dhe rrjetin e dobët “që është paraparë për shumë më pak banorë, e që sot nuk e përballon dot mbipopullimin”.

Komuna e Prishtinës thotë se tash ka orientuar investimet e veta në ndërrimin e rrjetit të kanalizimit brenda qytetit. Aktualisht është duke u punuar në rrugët “Fehmi Agani”, “Çajupi”, “Hajdar Dushi”, “Meto Bajraktari”, dhe muajin tjetër do të vazhdohet në rrugët “Andre Gropa” dhe “Bedri Pejani”, sipas njoftimit të komunës.

Për KfW-në, komuna është zotuar se do të thellojë edhe më tutje bashkëpunimin, “domosdoshmëri e intervenimeve të përbashkëta në infrastrukturën nëntokësore, ashtu që të evitohen problemet me kanalizim dhe ujësjellës brenda qytetit të Prishtinës”.