Lokalet e reja të NPB-së, të zbrazëta e të dëmtuara

12 maj 2018 14:31

Më shumë se 5 muaj kanë kaluar që kur, pronarët privatë, kanë nisur punën në kompleksin e lokaleve në rrugën “Justiniani” në lagjen Pejton.

Por, 38 lokale të Ndërmarrjes Publike Banesore, në të njëjtin vend, vazhdojnë të mbesin të zbrazëta, raporton KTV.

Madje, objekti i ri e i papërdorur ka filluar të dëmtohet – e si dëshmi për këtë shërbejnë fasadat e dëmtuara e baltosura, xhamat e thyer e mbeturinat gjithandej.
Xhamat e thyer janë vetëm një prej dëmeve që u janë bërë lokaleve të NPB-së në lagjen Pejton, ende pa u dhënë me qira. Funksionalizimi i tyre, tash e tetë muaj, ka mbetur peng i problemeve me konkursin.

Në shtator të vitit të kaluar – një muaj para zgjedhjeve lokale - ishte hapur e mbyllur konkursi për këto lokale.

Por, pasi për pesë muaj kishte mbajtur në sirtarët e saj 190 aplikacione – Ndërmarrja Publike Banesore, në shkurt të këtij viti, e kishte anuluar konkursin.

E edhe tre muaj pas anulimit të tij, ende nuk është shpallur konkursi i ri.

Në ndërmarrjen, e cila pas ndarjes së Lëvizjes Vetëvendosje, ka qenë arenë lufte mes anëtarëve të kësaj partie dhe të larguarve, nuk kanë dhënë asnjë përgjigje për mos ri-shpalljen e konkursit.

Ndryshe, para gjashtë vjetësh janë rrënuar lokalet e vjetra, për të liruar vendin për ndërtimin e këtij kompleksi.

 

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme