Arbëri

Asamblisti i VV-së në Prishtinë thotë se presidenti Rugova ka “varr luksoz”

“Varr luksoz” e ka quajtur asamblisti i VV-së, Egzon Azemi, varrin e ish-presidentit Ibrahim Rugova, raporton KTV.

Duke kritikuar qeverisjen e tanishme dhe të kaluarën për gjendjen e keqe të varrezave të dëshmorëve në Marec dhe lagjen Velania në kryeqytet, Azemi bëri krahasim mes varrit të ish-presidentit dhe atyre të dëshmorëve në mbledhjen e katërt të Kuvendit Komunal të Prishtinës.

“Të gjithë e kemi parë gjendjen e keqe të varrezave të dëshmorëve në Marec, për të cilat u tha se do të rregullohen sapo të ngriten temperaturat. E po ashtu varrezat e dëshmorëve në Velani, ndërsa aty e kemi pa edhe se çfarë varri luksoz ka Ibrahim Rugova”, ka thënë Azemi.

Në momentin kur Azemi i bëri këto komente po diskutohej për shtatoren dhe sheshin “Adem Jashari”.

Asamblisti i PDK-së, Migjen Shala, njëherësh nënkryetar i OVL-UÇK-së, përsëriti kërkesën që ose të largohet “trekendeshi” nga ky shesh ose që emrin “Adem Jashari” ta marrë ndonjë shesh tjetër ku do të mund të vendosej edhe shtatorja e tij.