Hamami i Prishtinës, pas pesë vjetësh, rinovohet edhe një herë

24 prill 2018 19:17

Për të dytën herë, Hamami i Prishtinës pritet t’i nënshtrohet restaurimit.

Mbi 750 mijë euro ishin shpenzuar për rinovimin e Hamamit, por punimet ishin ndërprerë në vitin 2013, nga Ministria e Kulturës për shkak që kishte pasur devijime në restaurim, raporton KTV.

Devijime kishte pasur në restaurimin e kupolave dhe fasadës , ku sipas MKRS-së, në muret e Hamamit ishin vendosur ndër të tjera edhe kabllo elektrike.

Pas pesë vjetësh, Ministria e Kulturës, Komuna e Prishtinës dhe organizata TIKA janë bërë bashkë për t’ia kthyer, siç kanë thënë, origjinalitetin këtij objekti kulturor. Por, njohësit e fushës së kulturës e trashëgimisë kulturore thonë se është e dëmshme dhe e pafalshme që një monument kulture, i vetmi i këtij lloji në Prishtinë, të mbetet për një kohë të gjatë i pashfrytëzuar.

Ndërkohë, ishte paraparë që të nënshkruhej një marrëveshje edhe me Bashkësinë Islame për restaurimin e Xhamisë së Çarshisë. Por, në kohën kur pritej të nënshkruhej marrëveshja, nga objekti i MKRS-së është larguar sekretari i BIK-ut, Resul Rexhepi.

Ai ka thënë se veproi në këtë mënyrë, për shkak se ishte ndier i anashkaluar. Në Ministrinë e Kulturës kanë thënë se bëhet fjalë për çështje teknike dhe se memorandumi do të nënshkruhet një ditë tjetër.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme