Çerdhja që Komuna ka premtuar se kryhet në shtator as që ka nisur të ndërtohet

Çerdhja që Komuna ka premtuar se kryhet në shtator as që ka nisur të ndërtohet

21 prill 2018 10:13

Për shkak të disa çarjeve në mure, institucionit parashkollor “Yllkat”, në kryeqytet, i është vënë dryni më 16 shkurt.

Në një mbledhje të jashtëzakonshme me prindër, drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jonuz Salihaj, kishte vendosur për evakuim të menjëhershëm të fëmijëve nga ky objekt që paraqiste rrezik për ta.

Pas vendimit për rrënim, e më pas rindërtim të objektit, më shumë se 200 fëmijë të këtij kopshti, janë ndarë në grupe në 7 çerdhe në lagje të ndryshme, raporton “038” i KTV-së.

Aty, prindërve u ishte premtuar se rrënimi do të fillonte menjëherë dhe se çerdhja e re do të ishte gati në shtator të këtij viti.

“Ka fonde. Unë shpresoj dhe besoj që në shtator do ta kemi çerdhen e re”, kishte thënë Januz Salihaj më 15 shkurt të këtij viti.

Kanë kaluar më shumë se dy muaj nga kjo deklaratë e drejtorit Salihaj, por ende nuk ka filluar rrënimi i objektit, për të liruar vendin për të riun.

Si pasojë e këtij vendimi, Lavdim Zylfiu, është detyruar që nga lagjja Vellusha, ta dërgojë djalin e tij në institucionin parashkollor “Fatosat” në Ulpianë.

Duke parë që punët në terren nuk kanë nisur ende, Zylfiu është skeptik që objekti i ri do të jetë gati në shtator.

Në komunë thonë se nuk janë me vonesë, me arsyetimin se rrënimi kërkon procedura, njësoj sikurse ndërtimi i objektit të ri.

Ndërsa nuk kanë treguar nëse objekti i ri, i cili do të bëhet bashkë me Ministrinë e Arsimit, do të përfundojë gjatë këtij viti.

Në MASHT kanë thënë se ata do t’i përdorin fondet e ndara për ndërtimin e një çerdheje tjetër të re në kryeqytet, për rindërtimin e objektit të “Yllkave”.

E nëse projekti nuk bëhet me procedura të përshpejtuara, mund të zgjasë dy vjet.

“Komuna e Prishtinës në takimin e mbajtur në MASHT, ka marrë përsipër që ta kryejë projekt-dizajnin kryesor dhe MASHT-i pasi të pranojë projekt-dizajnin dhe vendimet e ndarjes së lokacionit, që duhet të jetë në gjendje të përshtatshme për ndërtimin e kopshtit të ri, mund t’i fillojë procedurat e kontraktimit për ndërtimin e kopshtit. Planifikimi buxhetor është dyvjeçar, por në rast të kontraktimit të punëve me plan dinamik sa më të shkurtër (që është edhe synim i MASHT-it), atëherë do të kërkohen mjete buxhetore nga Qeveria për përfundimin dhe mbylljen e projektit sa më shpejt që është e mundur”, ka thënë Valmir Gashi, këshilltar politik i Ministrit të Arsimit.

Në muajin shkurt, Salihaj u pati thënë prindërve se komuna e ka projektin për çerdhen e re, por në Ministrinë e Arsimit kanë thënë se komunarët u kanë dorëzuar vetëm një skicë të projektit ideor dhe se projekt-dizajni ende nuk ka përfunduar.

As në ministri nuk kanë treguar se kur do të nisë rrënimi i objektit aktual dhe ndërtimi i të riut.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme