Burg, konfiskim e gjoba për ish-inspektorët e Prishtinës

Burg, konfiskim e gjoba për ish-inspektorët e Prishtinës

20 prill 2018 12:01

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin për 11 ish-inspektorë e zyrtarë të Komunës së Prishtinës, të akuzuar për shpërdorim detyre.

Ismet Haliti është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 3 vjet e gjashtë muaj, për veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar. Ky dënim do të ekzekutohet 15 ditë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, e në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 03.04.2014 deri më 27.10.2014. Haliti është dënuar edhe për veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve. Për këtë vepër ai është dënuar me gjobë në shumën prej një mijë euro, të cilin dënim i akuzuari është i obliguar t’i paguajë në afat prej 15 ditësh, pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Skënder Canolli është shpallur fajtor për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe është dënuar me burgim prej 2 vjet e gjashtë muaj dhe 1 mijë euro gjobë për mbajtje të paautorizuar të armëve.

Blerina Syla, Vehbi Avdullahu, Blerim Ibishi dhe Mërgim Shala janë dënuar secili me dy vjet burgim për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Ardian Muhadri dhe Granit Cenaj janë dënuar me nga një vit burgim për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Arbenita Ajeti dhe Drita Rukiqi janë dënuar me nga një vit e gjashtë muaj burgim për keqpërdorim të detyrës zyrtare

I akuzuari Q.P është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me gjobë në shumën prej 20mijë euro, për veprën penale Falsifikim i dokumenteve, të cilin dënim i akuzuari është i obliguar ta paguaj në afat prej 15 ditësh, pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej dt.03.04.2014 deri me dt.06.04.2014 duke ia llogaritur 1 (një) ditë burgim me 20 euro të gjobës.

Të dënuarit Ismet Halitit i është konfiskuar automjeti i markës Audi Q7 në vlerë prej 37.000 euro, veturën e markës VW Golf me targa në vlerë prej 12.500 euro dhe një veturë tjetër e markës VW Golf në vlerë prej 16.800 euro dhe paratë në shumë prej 11.000 euro si dobi pasurore e fituar me kryerjen e veprave penale, si dhe pistoleta e markës CZ.99 e kalibrit 9mm me nr.121623 me një karikator pa fishek.

Të akuzuarit Skënder Canollit i është konfiskuar automjeti i markës VW Passat në vlerë prej 20.000 euro, paratë në shumë prej 10.560 franga zvicerane, 2.600 dollarë amerikan dhe 1.880 euro si dobi pasurore e fituar me kryerjen e veprave penale, si dhe pistoleta e markës Broving e kalibrit 9 mm, me një karikator me tetë fishekë dhe një pushkë karabinë me nr.serik 85269, prodhim Cërvena Zastava –Kragujevac, e kalibrit 8x57 mm, si dhe njëzet e dy fishekë të kësaj pushke.

Të akuzuarit M.SH i është konfiskuar banesa në Lagjen Kalabria me sipërfaqe prej 76.3m2, në shumë prej 38.150 euro si dobi pasurore e fituar me kryerjen e veprave penale.

Palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme