Arbëri

Shitësit ambulantë në shesh kërkojnë të trajtohen në mënyrë të barabartë

Po i vendos syzet për t’i shitur në sheshin “Nëna Terezë”. Këtë Adnan Hasani po e bën në mënyrë ilegale, pasi që ai nuk ka leje për shitje nga Drejtoria e Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës.

Hasani thotë se ka kërkuar disa herë leje, por nuk ka arritur ta marrë.

Asnjë palë syze nuk arrin t’i shesë pasi që e njoftojnë se po vijnë inspektorët komunalë.

Janë 12 shitës të tjerë, në mesin e tyre edhe tregtarë syzesh, që kanë leje në sheshet e Prishtinës.

Hasani thotë se ose duhet të kenë të gjithë, ose asnjëri.

Habib Qorri, shef i shërbimeve publike ka thënë se leja e Hasanit, e edhe qindra kërkesa tjera, janë refuzuar. Qorri ka bërë të ditur se ata po synojnë që t’i largojnë të gjithë shitësit nga sheshi, sepse ai nuk është treg. Sipas tij, me riorganizimin që po bëhet në shesh, do të jenë maksimumi 3 shitës ambulantë. Të tjerët, sipas tij, do të largohen vazhdimisht nga Inspektorati komunal.