Arbëri

Qytetarët dhurojnë gjak në përkujtim të dëbimit dhe vrasjeve të banorëve të Sofalisë dhe Taukbahçes

Descriptive Text

Në parkun e Taukbahçes, në Prishtinë, u dhurua gjak në mënyrë të organizuar, në shenjë nderimi për banorët e kësaj pjese që 18 vite më parë ishin dëbuar nga forcat serbe, e shumë prej tyre edhe ishin vrarë; si dhe në nderë të 74 veprimtarëve që ishin vrarë në atë park në vitin 1944.

Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës, Arben Vitia, tha se ky aktivitet po bëhet që 3 vjet me radhë, dhe në këtë mënyrë duam t’i përçojmë 2 mesazhe kryesore.

“Së pari, që historia të mos harrohet, sepse na përsëritet. Së dyti, të dhurojmë gjak, të shpëtojmë jetë”, theksoi Vitia.

Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të shëndetshëm që të dhurojnë gjak në mënyrë që t’iu dalin në ndihmë të gjithë atyre që kanë nevojë.

Banori i lagjes Sofalia, Enver Redenica, falënderoi ata që po dhurojnë gjak.

“Duke i kujtuar ata që nuk janë në mesin tonë, po tentojmë t’iu shërbejmë atyre që kanë nevojë. I falënderoj të gjithë ata që po dhurojnë gjak, duke dëshiruar që numri i tyre të rritet edhe më shumë në të ardhmen”, tha Redenica.