Dhjetëra aksidente në rrugën “B”, shkak ngricat

23 mars 2018 19:00

Bora ka shndërruar disa rrugë të Prishtinës në ngrica, madje si pasojë kanë ardhur edhe aksidentet e shumta.

Koha.net edhe pak më parë ka raportuar për disa aksidente “Te Qafa” dhe në Mati 1.

Ndërkohë, nga vendi i ngjarjes në rrugën “B” kemi siguruar edhe fotografi dhe video ku shihen një numër i madh i veturave, që nga akulli i krijuar në rrugë, veturat rrëshqasin dhe është krijuar tollovi.

Koha.net ka kontaktuar me zëdhënësen e Komunës së Prishtinës, Miranda Mullafazliu, e cila ka thënë se kjo tollovi e veturave ka ardhur pasi shumica e qytetarëve kanë ndërruar gomat e veturave.

Ajo ka treguar se që nga 15 marsi, qytetarët kanë qenë të obliguar të ndërrojnë gomat e dimrit.

Megjithatë, Mullafazliu ka shtuar se Komuna është duke ndërmarrë hapat e nevojshëm.

“Janë 6 kompani të cilat i kemi në terren, edhe në qendër edhe në vende rurale. Jemi vazhdimisht duke punuar, por borë po bie kohë pas kohe, dhe kjo sigurisht e bënë të pamundur të pastrohet e tërë bora përnjëherë. Megjithëse, nga 15 marsi qytetarët kanë ndërruar gomat e dimrit, dhe sigurisht kjo është një arsye plus që po krijohet tollovia dhe ka rrëshqitje të veturave. Por, pak më herët mora informacione se në shumë rrugë janë duke u vendosur edhe guraleca, për të shpërfillur rrëshqitjet”, tha Mullafazliu për Koha.net.

Kujtojmë se më 15 mars ka përfunduar sezoni dimëror për automjetet në trafikun dimëror.

Nga 15 nëntori e deri atë ditë, automjetet dhe bashkësitë e mjeteve që kanë marrë pjesë në trafikun rrugor është dashur t’i kenë pajisjet dimërore. Ndërsa pas 15 marsit pjesëmarrësit në trafik nuk mund të dënohen nëse nuk i kanë këto pajisje.

Dënimet për mungesë të pajisjeve dimërore kanë qenë prej 40-300 euro.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme