Arbëri

Çfarë do të ndërtohet bashkë me shkallët në Arbri të Prishtinës

Përfundimisht, pas shumë kërkesave të qytetarëve, ka filluar rregullimi i shkallëve në lagjen Arbëria, në kryeqytet, raporton KTV.

Në fillimin e punimeve, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se ky projekt përfshin rregullimin e kanalizimit atmosferik, ndriçimin, pushimoret, hapësirat e gjelbra dhe këndet e lojërave për fëmijë.

Pas shumë kërkesash e vitesh pritjeje, Komuna e Prishtinës ka filluar rregullimin e shkallëve në lagjen Arbëria.

Pasi i ka quajtur “shkallë ikonike”, i pari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti, ka thënë se atyre do t’u japin pamje të re me kanalizim atmosferik nën to, ndriçim, pushimore e hapësira të gjelbra anash.

Projekti për rregullimin e më shumë se 270 shkallëve me gjerësi 2 metra e gjysmë dhe hapësira përcjellëse, do të kushtojë mbi 400 mijë euro.

Megjithatë, ende nuk dihet nëse në fund të shkallëve do të jetë mbikalimi i paraparë mbi rrugën “Zagrebi” dhe hekurudhë, për shkak të unazës së qytetit.

Punimet që nisën e më pas u ndërprenë, për shkak të borës të mërkurën, parashihet të përfundojnë brenda 120 ditësh.