Arbëri

Shoqëria civile mirëpret krijimin e policisë komunale, s’e kupton kundërshtimin

Të panevojshme po i konsideron shoqëria civile kundërshtimet nga ana e Policisë së Kosovës që kryeqyteti të mos ketë polici komunale.

Arton Demhasaj nga organizata “Çohu” thotë se krijimi i forcave policore lokale, pos tjerash, do ta lehtësonte punën e Policisë së Kosovës, raporton KTV.

Duke marrë shembull vendet e tjera në rajon, Demhasaj shprehet se në këtë rast nëse nuk ka harmonizim të ligjeve, palët do të duhej të angazhoheshin për një gjë të tillë.

Komuna e Prishtinës, në vazhdimësi, ka insistuar që Prishtina të ketë policinë e saj, pasi kontrolli dhe ushtrimi i rendit e ligjit brenda territorit të saj do të ishte më i lehtë.

Ligji parasheh shtim të numrit të policëve, që aktualisht televizioni jo zyrtarisht merr vesh se janë të angazhuar rreth 25, shumë më pak se sa janë të nevojshëm.

KTV-ja për dy ditë radhazi ka provuar të marrë një qëndrim nga MBP-ja se pse janë kundër që kryeqyteti të ketë polici komunale, cilat nene të ligjit për Prishtinën po i kundërshton. Televizioni ka insistuar të marrë një prononcim para kamerës ta pyesë se si do të veproj ministria në këtë rast, por zyrtarë të saj nuk kanë qenë të gatshëm të japin një përgjigjeje gjatë ditës.

Policia Komunale i takon kryeqytetit me ligjin për të, i cili është aprovuar në lexim të parë vitin e kaluar në Kuvendin e Kosovës.

Ndërkohë, projektligji para se të procedohet në kryesi, pritet të diskutohet sërish në Komisionin për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media.