Arbëri

LDK: Ahmeti është kryetar me vota të qytetarëve, por do ta ketë të vështirë

Pas dorëheqjes së Shpend Ahmetit nga Vetëvendosje, në partinë më të madhe opozitare, LDK, kanë thënë se megjithatë, ai është kryetar i Prishtinës me vota qytetare.

Halim Halimi, nga LDK-ja, e ka pranuar se kjo situatë e komplikon funksionimin e KK-së.

“Partia nuk e ka më shumicën në KK, dhe LVV-ja më nuk mbetet Grupi më i madh i këshilltarëve komunalë. Por se këtë epitet do ta mbajë LDK-ja”, ka thënë Halimi.

Sipas tij, kuvendarët e LVV-së, e që sipas tij tanimë janë 13, si të ndarë do të krijojnë grup të veçantë parlamentar. Përderisa me Shpendin, sipas tij, janë pozicionuar vetëm 4 anëtarë.

“Mendoj se tani e tutje do të ketë vështirësi të jashtëzakonshme në funksionimin e tërësishëm të Komunës, edhe në qeverinë lokale e edhe në Kuvend”, ka thënë Halimi.

Sipas tij, ky është një lajm jashtëzakonisht i keq për qytetarët e Prishtinës, meqë që në fillim të këtij mandati po jepet përshtypja që kjo qeveri komunale nuk do të punojë asgjë.

“Kështu që jam i bindur se qytetarët shumë shpejt do të kërkojnë zgjedhje të parakohshme lokale për Prishtinën”, ka thënë Halimi. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)