Arbëri

INPO thotë se raporti financiar për 2017 i Komunës së Prishtinës s’i përmbush kriteret ligjore

Descriptive Text

Raporti financiar për periudhën janar – dhjetor 2017, i cili pritet të shqyrtohet në seancën e radhës të Kuvendit Komunal me përmbajtjen aktuale nuk i përmbush kriteret ligjore të një organizate buxhetore, siç është komuna e Prishtinës, vlerëson Iniciativa për Progres (INPO).

Përmes një komunikate për media INPO thotë se ky raport përmban vetëm shuma totale të planifikimit dhe shpenzimit për kategori të ndryshme ekonomike dhe në asnjë faqe të tij nuk i përfshinë krahasimet me dy vitet paraprake lidhur me shpenzimin e parasë publike gjatë periudhës raportuese. Sipas Ligjit për Financat Publike dhe Përgjegjësitë, raportet vjetore, përveç tjerash, duhet të pasqyrojnë: një përmbledhje të statusit të të gjitha projekteve kapitale të shpenzimit; mbishkrim të ndonjë deficiti ose suficiti buxhetor dhe mënyra se si janë financuar; detaje të pagesave të borxheve ndaj palëve të tjera, numri faktik i punonjësve të përhershëm dhe të përkohshëm të komunës krahasuar me numrat e autorizuar në buxhet; detale për të gjitha rregullimet që janë bërë në ndarje buxhetore; një raport mbi veprimet e ndërmarra dhe veprimet e propozuara në lidhje me gjetjet dhe rekomandimet e Auditorit të Përgjithshëm në Raportin Vjetor të Auditimit të pasqyrave financiare, të cilat kryetari i komunës së Prishtinës, nuk i ka prezantuar në dokument.

Rrjedhimisht, kryetari nuk i ka respektuar urdhëresat e nenit 46 të Ligjit për Financat Publike dhe Përgjegjësitë. Madje gjatë vitit të kaluar, kryetari nuk i ka respektuar as afatet kohore për raportime në Kuvend lidhur me ecuritë financiare në komunë në baza tre mujore ashtu sikurse e obligon ligji.

“Është shqetësues fakti, se komuna nuk ka arritur t’i shpenzojë mjetet në dispozicion nga kategoria e investimeve kapitale, ku nga afër 32 milionë euro të parapara për investime kapitale, komuna ka shpenzuar vetëm 17 milionë e 721 mijë euro, apo vetëm 56.48% të mjeteve në dispozicion. Krahasuar me vitet paraprake 2016 dhe 2015, vërejmë se niveli e ekzekutimit të buxhetit për investime kapitale është në rënie, meqë në vitin 2016, nga kjo kategori buxhetore ishin shpenzuar 58% të mjeteve në dispozicion, ndërkaq 62% në vitin 2015”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.

INPO thotë se ky trend në rënie i shpenzimit të buxhetit të dedikuar për investime kapitale, dëshmon paaftësinë e komunës për të investuar në më shumë projekte kapitale brenda territorit të komunës së Prishtinës dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve komunale.

“Zyra Kombëtare e Auditimit, në raportet vjetore të pasqyrave financiare të komunës së Prishtinës, në vazhdimësi i ka rekomanduar kryetarit të komunës, që t’i vlerësojë sistematikisht arsyet për nivelin e ulët të ekzekutimit të buxhetit për investime kapitale. Mirëpo, siç vërehet në raportin financiar janar-dhjetor 2017, kryetari nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të shpenzuar më denjësisht këtë kategori, madje ka shpenzuar më pak se në vitin paraprak. Për më tepër, kryetari i nuk e ka përmbushur as zotimin e tij që deri në fund të janarit ta diskutojë në Kuvend progresin lidhur me zbatimin e Planit të Veprimit për rekomandimet e auditimit, para se Pasqyrat Vjetore Financiare të 2017 të jenë dorëzuar në Ministrinë e Financave”, thuhet në komunikatë.

INPO shpreh shqetësim edhe për nivelin e diskutimit në Komitetin për Politikë dhe Financa (KPF) të komunës së Prishtinës, si trupa më kompetente për shqyrtimin e të gjitha politikave fiskale dhe financiare të komunës. Procedimi për shqyrtim në mbledhje të Kuvendit Komunal pa asnjë kritikë përmbajtjesore dhe rekomandim konkret rreth performancës së kryetarit në shpenzimin e buxhetit të komunës, dëshmon jo seriozitet dhe mosangazhim të anëtarëve të KPF-së në mbikëqyrjen dhe kërkimin e llogarisë për mënyrën e shpenzimit të buxhetit komunal.

INPO në vazhdimësi ka tërhequr vërejtjen për mungesën e rezultateve të punës së Kuvendit Komunal dhe trupave të saj, siç është KPF-ja në ushtrimin e mekanizmave të kontrollit ndaj ekzekutivit dhe kërkimin e llogarisë për shpenzimin e parasë publike.

Rrjedhimisht, INPO kërkon nga Kuvendi Komunal i Prishtinës, që në mbledhjen e radhës e cila pritet të mbahet më 7 mars, të kërkojë nga kryetari i komunës, që të dorëzojë raportin financiar sipas urdhëresave të nenin 46 të Ligjit për Financat Publike dhe Përgjegjësitë, dhe të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore në kuadër të kompetencave të tij për të vendosur kontroll dhe mbikëqyrje të punës së kryetarit dhe shpenzimit të parasë publike.

Gjithashtu, INPO fton kryetarin e komunës që ta ndërpresë praktikën e jotransparencës së shpenzimeve të parasë publike. Të angazhohet maksimalisht që raportet financiare të jenë në përputhje me frymën e Ligjit për Financat Publike dhe Përgjegjësitë dhe standardet për transparencë në menaxhimin financiar.