Arbëri

Rrugët e Prishtinës janë të kalueshme, hapësirat para lokaleve përgjegjësi e pronarëve

Tetë kompani, të kontraktuara nga Komuna e Prishtinës, janë angazhuar me kapacitete të plota për pastrimin e rrugëve, thuhet në njoftimin për media të kësaj komune. Po sipas këtij burimi, në saje të punës së tyre rrugët kryesore në qytet dhe në fshatra janë të kalueshme, transmeton Koha.net.

Komuna ka publikuar edhe numrat kujdestarë të telefonave (pa pagesë) 080012233 dhe 080012244, në të cilët mund të raportohen problemet që shfaqen si pasojë e motit që po zotëron këto ditë.

Komuna po ashtu ua kujton dhe njëherësh kërkon nga pronarët e lokaleve afariste që të kujdesen për pastrimin e hapësirës para lokaleve të tyre, dhe të zbatojnë kështu Rregulloren për Shërbime Komunale, konkretisht nenin 138.1 të saj, që thotë: “Për pastrimin e borës nga trotuaret dhe para ndërtesave afariste dhe banesore në pronësi shoqërore, kujdesen personat juridikë, të cilët i shfrytëzojnë ndërtesat afariste dhe pleqësitë shtëpiake, ndërsa për pastrimin e borës nga trotuaret para ndërtesave familjare banesore dhe para hapësirave afariste (punëtoritë, lokalet afariste), kujdesen pronarët dhe shfrytëzuesit e ndërtesave banesore dhe të hapësirave afariste”.

{gallery}