Arbëri

Komuna dyfishon numrin e drunjve të mbjellë

150 mijë euro i ka ndarë Komuna e Prishtinës për mbjelljen e drunjve të rinj.

Në kohën kur kryeqyteti po përballet me problemin e ndotjes së ajrit, numri i fidanëve që do të mbillen këtë herë është dyfishuar në krahasim me vitin e kaluar, raporton emisioni 038 i KTV-së.

Mbi 7500 fidanë të llojeve të ndryshme do t’i shtohen Prishtinës, në dy faza.

Komuna tashmë ka identifikuar edhe lokacionet ku do të mbillen drunjtë e rinj.

Një prej pjesëve që, sipas Seniha Haxhiu-Bajraktari, zyrtare e lartë për Ambient në Komunën e Prishtinës, do të përfitojë nga ky tender, është hapësira mbi shkollën “Model”, e cila po vazhdon të shërbejë si deponi ilegale e mbeturinave inerte.

Një prej shkaqeve për këtë është vonesa në mbjelljen e drunjve vitin e kaluar, e cila kishte filluar tek në fund të shtatorit.
 

Madje, mbjellja e fidanëve, atëkohë, ishte përdorur në fushatën parazgjedhore nga kryetari Shpend Ahmeti, i cili disa herë kishte publikuar fotografi e video në profilin e tij në “Facebook”.