Arbëri

Dështon votimi për Pallatin e Rinisë

Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, në të cilin ishte paraparë që të bëhet shqyrtim i vendimit të Qeverisë lidhur më Ndërmarrjen “Qendra shoqërore, sportive, kulturore dhe ekonomike Pallati i Rinisë", nuk arriti të votojë, pasi që anëtarët e këtij komisioni erdhën në mbledhje me vonesë.

Megjithëse nuk ishte hera e parë që anëtarët vonohen për disa minuta, kryetarja e këtij komisioni Sala Berisha-Shala, tha se nuk mund t’i pres anëtarët e tjerë të vijnë, sepse e ka një takim të rëndësishëm nga ora 10:00.

“Ne sot para fillimit të takimit me përfaqësues të Departamentit të tregtisë amerikane e kemi caktu mbledhjen e komisionit. Siç po shihet deputetët kanë mungu, se zakonisht janë mësuar të vijnë në ora 11:00. E sot pak më herët, po shpresoj që kjo është arsyeja, s’kemi kuorum me mujt me vazhdu mbledhjen. Më vjen keq. Ne zakonisht mbledhjeve tjera kemi prit ato minutat akademike, derisa të bëhet kuorumi, por meqenëse e kemi në orën 10 siç e përmenda nuk ka kurrfarë kuptimi me i lanë me prit, sepse ata ka 15 minuta që kanë hy në kuvend. Kështu që merremi vesh këtë pikë e shtyejmë për një mbledhje tjetër të komisionit”, tha ajo, transmeton kp.

Por lidhur me këtë reagoi anëtari i komisionit nga radhët e Nismës, Bilall Sherifi. Ai tha se kjo është e papranueshme dhe se ata do të presin tërë ditën në Kuvend, vetëm ta votojnë këtë pikë.

“Unë atë ditë kam votuar me premtimin, se sot do të votohet ajo, dhe nëse ka nevojë tanë ditën do të rrijë në Kuvend dhe do ta mbajë fjalën. Kjo çështje do të votohet sot dhe nëse ka nevojë presim tërë ditën, që deputetët të vijnë. Absolutisht nuk është korrekte. Ideja se kemi takim në ora 10 dhe ta shtyjmë këtë për një mbledhje tjetër, për mua është e papranueshme”, tha ai.

Kryetarja e komisionit tha se s’mund ta detyrojë askënd që të vjen në komision me kohë.

“Deputet nëse ia nisim të gjithë me fol personalisht edhe për mua është e papranueshme. Unë e kam një zyre qatje, e kam obligim si të fillon orari i punës këtu jam, për mua s’prish punë, por të tjerët nuk mund t’i detyron as ti, as unë me ardhë në mbledhje të komisionit. Kjo është veç mos të keqkuptohemi dhe të mos e marrim asgjë personale”, tha ajo.

Për insistimin e kryetares që kjo pikë të shtyhet për një takim të radhës, reagoi dhe Dardan Sejdiu nga Vetëvendosje. Ai insistoi që komisioni të votojë këtë pikë gjatë ditës së sotme.

“Për këtë arsye dhe kam kërkuar atë ditë që të votohet për arsye se edhe duke e pasur idenë e qartë se mund të fillojë të zhagitet procesi, mund të përfundojmë në situatat të tilla. Unë e çmoj dhe vlerësoj shumë fjalën e z. Sherifi edhe unë jam në objektin e Kuvendit. Dhe nëse ju si kryetare e vlerësoni se mund të bëjmë dhe një mbledhje gjatë ditës së sotme ose një takim ku do të votohet kjo çështje, unë jam jashtëzakonisht i interesuar që këtë ta përmbyllim sa më shpejtë”, tha ai.

Megjithëse deputetët arritën dhe u bë kuorumi, kryetarja Berisha nuk pranoi të pres as një minutë të vetëm, edhe pse një gjë e tillë nuk do t’i merrte kohë, pasi që anëtarët kësaj radhe, vetëm do të votonin vendimin e Qeverisë lidhur më Pallatin e Rinisë.

Berisha me gjithë insistimin e anëtarëve të këtij komisioni që kjo çështje të votohet, e mbylli mbledhjen.