Arbëri

Prishtina ndalon qarkullimin e veturave në intervalin kohor 6-22

Descriptive Text

Komuna e Prishtinës ka publikuar listën e masave që ka ndërmarrë komuna në bashkëpunim me qeverinë për të luftuar ndotjen e ajrit.

Nënkryetari i Prishtinës, Selim Pacolli, ka treguar se rrugët kryesore që lidhen me qendrën e qytetit nuk do të jenë të qarkullueshme, përveç shërbimeve emergjente.

Në këto rrugë qarkullimi do të ndalet prej orës 06:00 në mëngjes deri në mbrëmje, në orën 22:00.

Ai ka njoftuar se transporti nga Trafiku Urban do të bëhet pa pagesë për të gjithë qytetarët. Shtoi se këtë pagesë do ta kryejë qeveria e Kosovës.

Ky vendim nis së zbatuari që nga nesër, 31 janar.

Kjo është përmbajtja e vendimit:

1. Ndalohet shitja e thëngjillit brenda territorit të komunës së Prishtinës.

2 Ndalohet qarkullimi i të gjitha automjeteve brenda qytetit të Prishtinës, nga ora 06:00-22:00, përveç

Automjeteve të transportit publik, automjeteve emergjente, automjeteve të Policisë së Kosovës, automjeteve të misioneve diplomatike, automjeteve të FSK-së, automjeteve të KFOR-it, automjeteve të EULEX-it, automjeteve të drejtorisë së inspekcionit, automjeteve-taksi të licencuara, automjeteve për bartjen e personave me aftësi të veçanta të cilat mbajnë shenja identifikuese.

3. Zona e ndaluar përfshinë këto rrugë:

Bulevardi “Bill Klinton” nga udhëkryqi i rrugëve “Idriz Gjilani” dhe “Bekim Fehmiu”, gjegjësisht nga shtatorja “Bill Klintoni”,

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” nga rrethrrotullimi i flamurit,

Rruga “Agim Ramadani” nga udhëkryqi i konvikteve,

Rruga “Edmond Hoxha” te salla “1 Tetori”

Rruga “Ilir Konushevci”, nga hyrja e drejtimit të Podujevës

Hyrja nga rrethrrotullimi i lagjes “Arbëria” në rrugët “UÇK” dhe “Fehmi Agani”

4. Transporti i udhëtarëve nga “Trafiku Urban” në intervalin kohor të cekur në pikën 1 do të bëhet pa pagesë, financuar nga Qeveria e Kosovës.

5. Furnizimi i bizneseve me mallra duhet të kryhet në intervalin kohor prej orës 22:00 – 06:00.

6. Për zbatimin e këtij vendimi obligohet Drejtoria e Inspeksionit.

7. Policia e Kosovës do të asistojë në zbatimin e pikës 2 të këtij vendimi.

8. Ky vendim fillon të zbatohet nga data 31.01.2018 deri në marrjen e një vendimi tjetër nga Komuna e Prishtinës

9. Zyra për marrëdhënie me publikun do t’i njoftojë qytetarët dhe subjektet tjera për këtë vendim, përmes mediave të shkruara dhe elektronike.

10. Ky vendim hyn në fuqi në ditën e nënshkrimi të tij.