Arbëri

Kërkohet shtimi i shoqatave të bashkëpronarëve të banesave

Pronarë banesash kanë zënë ulëset e asamblistëve në kuvendin e kryeqytetit, të premten.

Përfaqësues të projektit, të mbështetur nga Komuna e Prishtinës, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, ajo e Mjedisit dhe Banka Botërore, u kanë prezantuar atyre projektin për krijimin e shoqatave të pronarëve të ndërtesave të banimit në bashkëpronësi.

Në fillim, Lumnie Gashi, nga ky projekt, tha se bashkëpronësia është pjesë e pronës e cila nuk është në pronësi individuale dhe as pronë publike, por në të cilën mbahet një interes i pandashëm nga pronarët e njësive individuale.

Tutje u tha se aty hyjnë: hapësirat e përbashkëta si shkallët, korridoret e përbashkëta, kulmi, fasadat, oborri, parkingjet, fushat e sportit e të tjera.

Qëllim i këtij projekti, sipas saj, është inkurajimi i pronarëve për të krijuar shoqatat e tyre për të mbështetur mirëmbajtjen e ndërtesave dhe rinovimin e tyre për të kursyer energjinë.

“Aktualisht janë vetëm 10 shoqata të pronarëve, ndërsa llogaritet se ky numër duhet të jetë rreth 3000 mijë në tërë Kosovën”, ka thënë Gashi.

Një shoqatë e pronarëve, sipas Drita Shabanit, mund të krijohet nga një ndërtesë e vetme apo edhe një bllok ndërtesash, por jo një lagje e tërë.

Ajo shtoi se ky projekt mund të ndikojë, veçmas në ndërtesat më të vjetra, të cilat, sipas saj, janë në gjendje të mjerueshme.

Ndërsa profesori nga Shqipëria, Besim Islami, ka treguar se për fillim në kryeqytet, do të krijohen vetëm 3 pilot-shoqata, të cilat do të asistohen nga mbështetësit e projektit.

Duke folur për përvojat në Tiranë, Islami, ka treguar se me iniciativën e kryebashkiakut, Erion Veliaj, për një kohë të shkurtër në kryeqytetin shqiptar, mbi 20 mijë banorë janë organizuar në mbi 2 mijë shoqata funksionale të pronarëve.

“A llogaritet bashkëpronësi kaldaja për ngrohje e ndërtuesit?” ishte një nga pyetjet e para në të cilën organizatorët iu përgjigjën pronarëve të pranishëm.

Disa qytetarë shprehën dyshime rreth këtij projekti, duke thënë se komuna nuk është partneri i duhur.

Ndërsa një tjetër kërkoi që pronarët individualë të ndryshojnë qasje ndaj pronës së përbashkët.

Të pranishmëve u janë dhënë edhe formularët për krijimin e shoqatave – dhe me ta, deri më 9 shkurt, mund të aplikojnë për t’u bërë pjesë e projektit.