Arbëri

Artistit që e ndërroi flamurin “Te Rrethi” i shqiptohet gjobë

Flamuri Kombëtar, i vendosur tash e sa kohë në hyrje të Prishtinës, ishte zëvendësuar në orët e para të së shtunës me flamurin “ofsajd” të futbollit.

Për ndërrimin e flamurit, komuna nuk kishte pasur njohuri deri pas lajmërimit nga ana e qytetarëve. Edhe më pas ata nuk arrinin ta identifikonin atë, raporton KTV.

Drejtori i Inspektoratit, Brahim Mehemetaj tha se së bashku me Policinë e Kosovës kanë dalë në vend të ngjarjes për ta larguar.

Mehmetaj tregon se për këtë iniciative të zëvendësimit nuk kanë pranuar deri tani ndonjë kërkesë.

Ndërsa nënkryetari i komunës, Selim Pacolli, bëri me dije se ajo pozitë i takon vetëm flamurit kombëtar.

Më vonë në vend të ngjarjes erdhi dhe autori i idesë, Driton Selmani i cili tha se flamuri tregon “pozitës jashtë loje” të situatës në vend. Selmani shpjegoi se kompania me të cilën ka bashkëpunuar ka qenë e angazhuar nga ai.

Më pas nga Policia e Kosovës, Selmani u drejtua për në stacionin policor, ku është shqiptuar gjobë edhe ndaj kompanisë për dëmtim të pronës publike.

Mirëpo, kjo ide i kishte pëlqyer kryetarit të Komunës, Shpend Ahmeti. Ai, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, kishte shkruar se i vjen mirë se për situatën në vend është thënë edhe në këtë mënyrë.