Arbëri

QKMF-të nuk pranojnë më pacientët pa termin të paracaktuar, pos rasteve emergjente

Në të gjitha Qendrat e Mjekësisë Familjare në Komunën e Prishtinës, pacientët nuk mund të bëjnë vizita të mjeku pa caktuar termin paraprakisht.

Kjo për shkak të zbatimit të pilot-projektit që parasheh shërbime me të mira për pacientët. Ndonëse qytetarët mendojnë se ky vendim nuk është i arsyeshëm dhe se nuk shkon në favorin e tyre, zyrtarët komunalë thonë se kjo do të jetë në të mirën e pacientëve.

Qytetarët shprehin mendime të ndryshme sa i përket caktimit të termineve për vizitë mjekësore. Disa e përkrahin këtë projekt dhe konsiderojnë se kjo do të vë rregull më të madh në qendrat e mjekësisë familjare. Disa të tjerë e thonë të kundërtën.

Sadete Hadri, drejtoreshë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, tha se zbatimi i pilo-projektit për shërbime më të mira mjekësore, tashmë ka filluar. Ajo tha se shërbimet do t’u ofrohen të gjithë pacientëve edhe atyre që nuk caktojnë termin e që konsiderohen si raste urgjente. Sipas saj, fëmijët dhe rastet urgjente nuk janë të përfshirë në këtë pilot- projekt.

“Është e vërtetë që kemi filluar me vizitat me termin, por nuk është e vërtetë që nuk pranohen pacientët. Rastet emergjente gjithsesi se pranohen. Por edhe rastet që presin të vizitohen për herën e parë dhe, njëkohësisht, vetëdijesohen që herën tjetër të bëjnë termin”.

Ndërkaq, drejtori i Drejtoratit për Shëndetësi në Komunën e Prishtinës, Arben Vitia, ka thënë për Radio Kosovën se që nga 1 janari kanë filluar me zbatimin e këtij projekti. Sipas tij, caktimi i terminëve është në favor të qytetarëve, pasi kontrolli nga ana e mjekëve do të jetë më i mirë, si dhe do të eliminohen pritjet e gjata të pacientëve nëpër korridoret e spitaleve.

“Është e nevojshme që për ngritjen e cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve, konkretisht koha e mjekut kushtuar ndaj pacientit të implementohet edhe kjo rregull, pra kontrollet më termin. Natyrisht që çdo gjë që bëjmë ne e bëjmë për t’ua lehtësuar vizitat mjekësore pacientëve”.

Nga ky muaj kontrollet mjekësore kryhen duke bërë termin te mjeku familjar. Pacientët potencialë këtë mund ta bëjnë duke telefonuar në qendrat e mjekësisë familjare të lagjes së tyre dhe duke ofruar të dhënat e kërkuara. Një praktikë e tillë ekziston edhe në vendet e BE-së, madje qytetarët kanë mundësi të vizitohen nga mjeku i preferuar i tyre.