Arbëri

Terri në kampusin e UP-së

Terri i plotë brenda kampusit të Universitetit të Prishtinës ka ngritur shqetësimin për nivelin e sigurisë gjatë orëve të mbrëmjes, për shkak të mungesës së ndriçimit.

Për këtë problem Polica ka mbajtur një takim me zyrtarë të Komunës së Prishtinës. Por, kjo pjesë mund të mbetet në terr edhe për një kohë – derisa të arrihet një pajtim mes Komunës dhe menaxhmentit të Universitetit të Prishtinës.

I gjendur në zemër të kryeqytetit, kampusi i Universitetit të Prishtinës, në pjesën më të madhe tij, është lënë në terr të plotë, raporton 038 në KTV.

Kjo gjendje është e pandryshuar për kohë të gjatë, edhe pse shtigjet për këmbësorë brenda tij, u shërbejnë shumë qytetarëve.
Përpos hapësirës përreth Bibliotekës Kombëtare, të gjitha shtigjet tjera për këmbësorë brenda kampusit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” janë tërësisht të pandriçuara.

Së fundmi, në këtë pjesë, shqetësim për kalimtarët po paraqet ulja e nivelit të sigurisë në orët e mbrëmjes, për shkak të mungesës së ndriçimit.

Ky problem është diskutuar edhe mes Policisë dhe Komunës së Prishtinës.