Arbëri

Sivjet nis ndërtimi i impiantit për trajtim të ujërave të zeza në Prishtinë

Projekti për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në rajonin e Prishtinës do të nisë sivjet.

Këtë lajm e kanë dhënë ministrja e Mjedisit, Albena Reshitja, pas një takimi me të parin e kryeqytetit, Shpend Ahmeti, raporton KTV.

Reshitaj ka thënë se ministria që ajo drejton, tashmë ka ndarë 3 milionët e parë për këtë projekt, i cili në total kap vlerën e 86 milionë eurove, prej të cilave 66 milionë euro janë kredi nga Franca.

Po ashtu, ajo ka njoftuar se, me kryetarin Ahmeti, janë dakorduar për ndërtimin e një deponie për mbeturinat inerte në kryeqytet.

Ndërsa Ahmeti tha se kanë biseduar edhe për “Unazën e qytetit”, projekt 50 milionësh, për të cilin ai kërkoi ndihmën e Qeverisë, pasi, sipas tij, komuna nuk ka buxhet për një projekt kaq të madh.

Ahmeti e Reshitaj, thanë se kanë biseduar edhe për përmirësimin e cilësisë së ajrit, ndërtimet pa leje, borxhin qe kjo ministria i ka komunës dhe shtimin e hapësirave të gjelbra në kryeqytet.