Arbëri

Hyrjet e Stacionit të Autobusëve në terr

Qytetarët që, gjatë orëve të mbrëmjes, nga lagjja Dardania i mësyjnë Stacionit të Autobusëve duhet të kenë kujdes kur mbërrijnë tek hyrja e këtij të fundit.

Kjo pasi, përkundër shtyllave të vendosura, në rrugën që shërben si hyrje-dalje për autobusët, poqët ndriçues në to janë jashtë funksionit.

Të vetmet drita në këtë rrugë janë ato të autobusëve.

Të gjithë ata që nuk kanë ndonjë mjet ndriçues gjatë kalimit para hyrje-daljes së stacionit të autobusëve mund të përballen me vështirësi në qarkullim për shkak të territ të madh dhe infrastrukturës së dëmtuar.

Pos vështirësisë në qarkullim, kalimtarët e shumtë që frekuentojnë shpesh këtë rrugë, ankohen për nivelin e ultë të sigurisë, për shkak të territ.

Në Komunën e Prishtinës thonë se rruga e lënë në errësirë, deri para pak kohësh rruga ka qenë nën kompetencën e Ministrisë së Infrastrukturës.

“Deri vonë edhe ajo pjesë e rrugës, sikurse rruga kryesores në atë pjesë, ka qenë në kompetencë të ministrisë përkatëse. Tash e kemi marrë përgjegjësinë ne dhe kemi vepruar menjëherë. Sipas informatave që kemi nga Drejtoria e Shërbimeve Publike, përmes kontratës së re, brenda më pak se një muaji do të bëhet vendosja e poqave të ri në atë pjesë”, ka thënë Adonis Tahiri, zëdhënës në Komunën e Prishtinës.

Pos mungesës së ndriçimit, problem në këtë pjesë janë edhe shkallët e dëmtuara.