Arbëri

PDK me kallëzim penal ndaj Ahmetit, Nagavcit e Kukajt

Partia Demokratike Kosovës e Prishtinës ka vazhduar të dërgojë kallëzime penale në Prokurorinë Speciale ndaj kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe vartësve të tij, me pretendimin se kanë kryer veprën penale, krim i organizuar.

Në kallëzimin e radhës, PDK ka akuzuar kreun e Prishtinës, Shpend Ahmeti, drejtoreshën e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe drejtorin për çështje pronësore, Dren Kukaj se kanë dhënë në mënyrë të paligjshme në shfrytëzim prona komunale organizatave joqeveritare që udhëhiqen nga militantë të Vetëvendosjes, transmeton kp .

Sekretari i PDK-së në Prishtinë, Bujar Cakolli, e ka quajtur Shpend Ahmetin një aktor dhe tregtar të rrezikshëm që shet leje ndërtimi me shuma marramendëse të parave.

Sipas Cakollit, për shkeljet ligjore me dhënien në shfrytëzim të pronave komunale në mënyrë të kundërligjshme militantëve të VV-së, por edhe shkeljet tjera, një prokuror që ka vetëm dy ditë shkollë do duhej ta sillte para drejtësisë, Shpend Ahmetin dhe shefat e tij, Dardan Molliqaj, Dardan Sejdiun dhe të tjerët.

“Se ku shkon pafytyrësia e kësaj qeverisje komunale mund të shihet edhe në këtë rast, ku përveç administratës komunale, ndërmarrjeve publike, shkolla fillore e të mesme Shpend Ahmeti ka abuzuar edhe me çerdhet e fëmijëve. Ata në bashkëpunim kanë lidhur marrëveshje me organizata joqeveritare duke dhënë pronën e komunës pa i përfillur procedurat e konkurrencës së hapur dhe procedurave të parapara me ligj dhe duke anashkaluar asamblenë komunale. Ata kanë favorizuar militantë të partisë Vetëvendosje ku njëri nga drejtuesit të këtyre çerdheve është edhe asamblisti i VV-së. Genc Sherifi”, tha Cakolli.

Sekretari i PDK-së, ka shtruar edhe disa pyetje, ku ka thënë nëse i duhet Prishtinës një kryetar i inkriminuar në krim të organizuar siç është Shpend Ahmetit.

Derisa, prokurorinë speciale ka pyetur nëse do të guxojë që në fund të ngrit aktakuzë ndaj Shpend Ahmetit, Dardan Molliqajt, Dardan Sejdiut për inkriminim në krim të organizuar apo do të presin përfundimin e mandatit.

Edhe avokati i angazhuar nga PDK, Skënder Musa, ka thënë se zyrtarët e lartë të komunës së Prishtinës kanë shkelur ligjin me dhënien në shfrytëzim të pronave komunale, duke kryer veprën penale krim i organizuar.

“Sot e dorëzuam edhe një kallëzim penal kundër kryetarit të komunës dhe dy drejtorëve, drejtorit të arsimit dhe drejtorit për çështje pronësore për shkak se në kundërshtim me ligjin dhe në mënyrë të paautorizuar kanë në shfrytëzim prona për disa organizata jo qeveritare për kundër faktit që ligjet në fuqi kërkojnë që prona publike dhe komunale të jepen në shfrytëzim vetëm përmes ankandit publik, në rastin konkret nuk ka pasur ankand publik, nuk ka pasur asnjë lloj shpallje publike dhe përzgjedhja është bërë nga kryetari pa aprovim të kuvendit komunal. Konsiderojmë se edhe në këtë rast ka shkelje ligjore dhe kryerje të veprës penale krim i organizuar”, theksoi Musa.

Musa beson se tashmë prokuroria speciale ka autorizuar Policinë e Kosovës që të nisë hetimet për kallëzimet penale që tashmë janë dorëzuar më herët nga PDK-ja për shkeljet tjera nga udhëheqja komunale e Prishtinës në krye me Shpend Ahmetin.

“Pas kallëzimeve tona kem besim të plotë se prokuroria speciale do ta autorizoj Policinë e Kosovës dhe për kallëzimet tjera besoj se ka autorizuar Policinë e Kosovës, mirëpo faza e hetimeve megjithatë merr një kohë të gjatë meqë bëhet fjalë për krim të organizuar dhe një rrjet mirë të strukturuar nga niveli politik. Zakonisht veprat penale që dyshohet se janë kryer nga niveli politik marrinë kohë me shumë se besohet se mënyra e kryerjes është me profesionale dhe më e fshehtë”, u shpreh ai.

Sekretari i PDK-së, Bujar Cakolli theksoi se ky nuk do të jetë kallëzimi i fundit penal ndaj udhëheqjes së Komunës së Prishtinës që do të dorëzohet në Prokurorinë Speciale.