Arbëri

“Miqtë e Amerikës” kundër orës dhe reklamave para shtatores së Presidentit Clinton

Vendosja e një ore të lartë 4 metra nga një kompani private, me leje të Komunë së Prishtinës, në të cilën do të ketë edhe reklama, përball shtatores së Presidentit Bill Klinton, ka shtyrë kryetarin e Shoqatës “Miqtë e Amerikës”, Agim Rexhepin që të thërras policinë që t’i ndalojnë punimet, pasi sipas Rexhepit, vendosja e këtij objekti do të mbulonte pamjen e Presidentit Clinton.

Rexhepi, të shtunën, pas një informacioni të marrë, kishte njoftuar Policinë e Kosovës për të ndalur punimet pranë shtatores së Presidentit Bill Clinton, ndërsa këta të fundit së bashku me inspeksionin kanë ndalur punimet.

Rexhepi ka thënë për KosovaPress se nuk kishin pasur njohuri më parë lidhur me këtë projekt, cili nëse ndërtohet do e pengonte pamjen e shtatores së mikut më të madh të shqiptarëve, Bill Clinton.

“Arsyeja është shumë e thjesht, një qytetar i kësaj lagjeje më thirri dhe më tha se dikush është duke gërmuar këtu dhe erdha dhe bisedova me punëkryerësit dhe u shpjegova me ta. Unë e pash një leje që e kishin, mirëpo ne nuk kemi marrë asnjë informacion zyrtar dhe mendoj se do të ishte dashur ta merrnim një të tillë”, ka thënë ai.

Rexhepi ka thënë se do t’i ndalin punimet pasi mbulojnë pamjen e shtatores dhe po ashtu është shprehur kundër vendosjes së reklamave në atë hapësirë.

“Ne jemi të interesuar ta zgjidhim në mënyrë njerëzore, në mënyrë ligjore dhe zyrtare. Mirëpo nëse nuk e arrijmë këtë gjë, ne nuk do të lejojmë të vendosin çka do që të jetë, që e pengon dukjen e shtatores së Presidentit Clinton. Siç po e shihni edhe ju, e tregon kamera, nëse është qëllimi i tregimit të orës ose reklamave, atëherë shumë mirë dhe thjesht mund të vendosen atje. Mirëpo nëse është qëllimi i përfitimit të dikujt nga reklamat, atëherë merr një ngjyrim tjetër”, tha ai.

Por ndryshe mendojnë zyrtarë të Komunës së Prishtinës. Udhëheqësi i sektorit për shërbime publike, Habib Qorri përmes telefonit ka thënë për KosovaPress, se vendosja e orës në Sheshin “Bill Clinton” është një konstruksion i vogël, e që në asnjë mënyrë nuk e mbulon shtatoren e Presidentit të Amerikës Bill Clinton. Ndërtimi i kësaj ore sipas tij, është investim i një kompanie private, e cila për tri vite do të paguajë edhe qira për hapësirën reklamuese, ndërsa më pas do të mbetet tërësisht pronë e Komunës së Prishtinës, ndërsa ka shtuar se do të vendosen 6 ora të tilla në lokacione të ndryshme të qytetit.

“Këto kanë shkuar përmes procedurës së Prokurimit. Ka qenë oferta dhe kompania më e mirë është zgjedhur. Orët do të japin informacione për kohën dhe temperaturën, informacione që ne si komunë kemi nevojë për to, si dhe ka pak hapësirë reklamuese në konstruksionin e orës. Oferta ka qenë e tillë që investitori vet do t’i punojë ato. Komuna nuk ka marrë asnjë mjet aty, ndërsa për tri vjet paguhet hapësira reklamuese e saj, e pas përfundimit të kontratës, të gjitha këto i mbesin në pronësi Komunës së Prishtinës”, ka thënë ai.

Ndërsa ekipi i KosovaPress është interesuar të marrë edhe reagimet e qytetarëve lidhur me këtë çështje.

Për qytetarin Besart Mjekiqi vendosja e një ore të tillë në sheshin “Bill Clinton”, vetëm sa do ta hijeshonte atë pjesë.

“Unë mendoj se nuk i pengon qytetarëve, pasi që është edhe shtatorja e Bill Clinton. Mendoj se është si vendtakim i qytetarëve dhe kur e thërrasin dikë ku është, edhe nëse nuk kanë orë mund të shohin atë që është e vendosur aty. Unë mendoj se nuk e pengon, vetëm e hijeshon këtë pjesë”, tha ai.

I një mendimi me Mjekiqin është edhe Donat Lushaku, për të cilin një orë e tillë do të shërbente si mjet orientimi.

“Unë mendoj se nuk paraqet problem, ajo i shërben qytetarëve. Nga çdo pamje apo këndvështrim. Unë mendoj se statujën e ‘Bill Clinton-it’ që është mjaft e rëndësishme, si një njeri që ka kontribuar për lirinë dhe pavarësinë e vendit, nuk e pengon, përkundrazi vetëm kishte me i dhënë një pamje më të mirë qytetit vendosja e një ore dhe do t’iu kishte shërbyer qytetarëve për t’u orientuar edhe për të parë”, është shprehur ai.

Iska Kelmendi, i cili ndodhej aty kalimthi tha për KosovaPress se secila prej këtyre të dyjave e ka vendin e vet.

“Jo absolut jo. Kjo e ka vendin e vet”, ka thënë ai.

Ndryshe, vendosja e shtatores së Presidentit të SHBA-ve, Bill Clinton, është bërë me iniciativën e Shoqatës “Miqtë e Amerikës”, në lokacionin e ndarë nga Komuna e Prishtinës.

Në përurimin e shtatores ishte i pranishëm edhe Presidenti Clinton, e cila ishte një vizitë historike për Kosovën. Ndërsa ndërtimi i orës planifikohet të bëhet në vendin ku Clinton u kishte folur qindra-mijëra shqiptarëve të mbledhur aty. Edhe ish Sekretarja amerikane, Hillary Clinton, kishte ndalur eskortën për ta parë shtatoren që miqtë shqiptarë i ndërtuan burrit të saj.