Arbëri

Komuna e Prishtinës dhe KEC-i me memorandum për mbështetje të adoleshentëve

Komuna e Prishtinës ka nënshkruar të martën Memorandum Mirëkuptimi me Qendrën për Arsim të Kosovës (KEC), për mbështetje të adoleshentëve pas mësimit të rregullt. Ky projekt do të financohet nga USAID-i, shkruan sot “Koha Ditore”.

Sipas këtij Memorandumi, palët do të punojnë për themelimin e “Qendrës për karrierë dhe ndërmarrësi” në gjimnazin “Xhevdet Doda”, e cila do të shfrytëzohet për aktivitete në lidhje me edukimin për karrierë dhe ndërmarrësi dhe zhvillimin e rezultateve të të nxënit për jetën dhe punën sipas Kurrikulit të Kosovës.

Qendra do të ketë hapësira të pajisura me teknologji për arsim, mjete dhe materiale që do t’u mundësojnë nxënësve të marrin pjesë në projekte praktike, me qëllim të zhvillimit të shkathtësive dhe kompetencave relevante tek nxënësit. Kjo qendër do të jetë në dispozicion të mësimdhënësve dhe nxënësve gjatë orarit mësimor dhe po ashtu do të jetë në dispozicion për aktivitete jashtë-kurrikulare në mbrëmje dhe në fundjavë, siç është e paraparë në Kurrikulin e Kosovës.

Me këtë marrëveshje, gjithashtu është paraparë krijimi i lidhjeve në mes të shkollës dhe punëdhënësve, që do të rrisë shkathtësitë e nxënësve për punësim.