Arbëri

Komuna e Prishtinës me platformë dixhitale për menaxhimin e subvencioneve në Drejtorinë e Kulturës

Descriptive Text

Në kuadër të projekteve konkrete për transparencë të plotë, Komuna e Prishtinës prezantoi sot platformën e re dixhitale për menaxhimin e subvencioneve në Drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, platformë kjo e realizuar në bashkëpunim me UNDP-në.

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi, tha se përmes kësaj platforme po nisim një fazë të re të dixhitalizimit, që do të vazhdojë edhe nëpër drejtoritë e tjera.

“Në fazën e parë, do të jetë si pilot-projekt, kurse në fazën tjetër nga viti 2018 të gjitha aplikimet për subvencnione nga DKRS do të bëhen vetëm online përmes kësaj platforme. Gjatë pilotimit do të shohim nëse eventualisht ka ndonjë mangësi platforma, në mënyrë që t’i bëjmë të gjitha përmirësimet e nevojshme”, theksoi Nushi, duke shtuar se përmes platformave të tilla kemi për qëllim të lehtësojmë qasjen e qytetarëve në proceset që i menaxhon Komuna, duke e rritur kështu transparencën dhe llogaridhënien.

Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Besart Vllahinja, tha se nga viti 2014 kemi rregulloren që lehtëson punën në ndarjen e subvencioneve në drejtorinë tonë.

“Përfshirja e komunitetit në vendimmarrje për ndarjen e subvencioneve ka qenë hapi i parë drejt transparencës në këtë sektor. Tani përmes kësaj platforme dixhitale gjithçka do të jetë online, që nga thirrjet për palët, aplikimi, shpërndarja e informatave të nevojshme, e deri tek rezultatet e vlerësimit. Për më tepër, me automatizëm do ta përditësohet kalendari kulturor me projektet që mbështeten nga Komuna e Prishtinës”, tha ndër të tjera Vllahinja.

Albert Avdiu, Menaxher i Programit Anti-Korrupsion në UNDP, theksoi se ky projekt ka për qëllim rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në institucione.

“Komuna e Prishtinës është partnerja jonë kryesore në synimin për arritjen e këtyre objektivave. Ka qenë Komuna e parë që e ka miratuar Planin e Integritetit, të përcjellë me aktivitete e projekte të tjera për rritje të transparencës. Puna e Komunës së Prishtinës për të rritur transparencën dhe llogaridhënien, vlerësohet lartë brenda dhe jashtë vendit. Një model i tillë duhet të ndiqet edhe nga komunat tjera, e edhe nga institucionet e nivelit qendror”, tha Avdiu, duke shtuar se bashkëpunimi do të vazhdojë edhe për zbatimin e platformave të tjera të ngjashme në të ardhmen.