Arbëri

Bahtiri tregon se a do të garojë Pacolli për Prishtinën

Nënkryetari i AKR-së, Agim Bahtiri, në një prononcim për Koha.net ka treguar se sonte vendoset se a do të jetë Behgjet Pacolli kandidat për garën në Prishtinë.

“Kryesia e AKR-së dhe të gjitha nëndegët tjera në Prishtinë janë drejtuar nga Behgjet Pacolli, ai e ka përkrahjen tonë 100 për qind”, ka thënë Bahtiri.

Por sipas tij, ka mbetur në vendim të Pacollit se a do t’i hyjë kësaj gare apo jo ai.

“Ka mbetur të vendos ai personalisht se a do të hyjë në këtë garë apo jo. Mbetet vendim i tij”, shtoi Bahtiri.

Tutje, ai ka thënë për Koha.net se sonte kryesia e AKR-së do të mbaj një takim ku përfundimisht Behgjet Pacolli do të tregoj se a do e pranoj këtë vendim. Nëse nuk vendoset për Pacollin, atëherë AKR propozon një tjetër kandidat.

Kujtojmë se Kryetari i Kuvendit të AKR-së, Fatmir Matoshi, para disa ditësh ka thënë në Interaktiv të KTV-së se kërkesat për Pacollin si kandidat për kryetar të Prishtinës kanë qenë të shumta, por se ai nuk beson se ai do të kandidojë.

“Ka pasë kërkesa të shumta për Pacollin të jetë kandidat për kryetar, madje të shumta kanë qenë edhe nga qytetarët e Prishtinës, por nuk besoj se do të kandidojë, ai është president i Partisë dhe kësaj here do të përkushtohet më shumë në nivel qendror”, ka thënë Matoshi.

Kandidatët për Prishtinë janë Shpend Ahmeti nga Vetëvendosje, Arban Abrashi nga LDK, Lirak Çelaj nga PDK, Arbër Vllahiu nga AAK, Shyqeri Bytyqi nga NISMA dhe Rifat Deri nga Alternativa.