Arbëri

Opozita thotë se 70 për qind e të punësuarve në “Pastrimi” janë në administratë

Descriptive Text

E keqmenaxhuar po konsiderohet kompania rajonale “Pastrimi” nga opozita e Prishtinës. Përfaqësues të saj kanë thënë se në këtë ndërmarrje me afro 900 të punësuar më shumë ka zyrtarë në administratë sesa punëtorë terreni që mbledhin mbeturinat. Edhe raportet e ZKA-së kanë treguar për rritjen e vazhdueshme të punëtorëve në administratë në këtë ndërmarrje në periudhën 2019-2021. Në gjendje të rëndë ndërmarrjen ka thënë ta ketë gjetur edhe kryeshefi i ri i saj

Afro 70 për qind e të punësuarve në kompaninë rajonale “Pastrimi” janë angazhuar në administratë, kanë thënë përfaqësues të opozitës në Prishtinë. Mbingarkimi i kësaj kategorie të të punësuarve, sipas përfaqësuesve të saj, ka bërë që në këtë ndërmarrje të ketë mungesë të punëtorëve të terrenit që e bëjnë grumbullimin e mbeturinave.

“Ky numër kaq i lartë i punëtorëve, me gjendjen në terren është në proporcion të zhdrejtë dhe natyrisht që është për kritikë. 852 punëtorë e 70% e tyre në administratë, është normalisht keqmenaxhim i ndërmarrjes, për shkak se po vërehet mungesë e punëtorëve operativ”, ka thënë Feim Osmani, asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë.

Burime të KOHËS kanë bërë të ditur se në “Pastrimi” janë shtatë zyrtarë për marketing, ndonëse kompania nuk ka konkurrencë në treg. Ndërsa raportet e Zyrës Kombëtare të Auditimit për këtë ndërmarrje kanë gjetur shkelje të shumta, sidomos në rekrutimin e stafi, në mënyrën se si janë pranuar në punë dhe numrin e të punësuarve.

Raporti i auditimit i vitit 2019 ka gjetur se numri i të punësuarve ishte 679, në vitin 2020 kjo kompani pati 737 punëtorë, pra 58 më shumë, ndërsa numri i të punësuarve në këtë kompani u rrit ndjeshëm në vitin 2021, ku kompania numëronte 860 punëtorë, pra 123 më shumë se në vitin 2020 e 181 më shumë se në 2019-tën.

Kjo rritje e numrit të të punësuarve u reflektua edhe në shpenzimet për mëditje dhe reprezentacione të kompanisë. Sipas një raporti të publikuar nga “Corr Watch”, për këtë kategori në vitin 2021 ishin shpenzuar 65.235 euro, mbi tre herë më shumë sesa në vitin 2019, ku për mëditje dhe reprezentacione ishin shpenzuar 20.120 euro. Sipas organizatës “Corr Watch” rritja e shpenzimeve ka ardhur si rezultat i rritjes së numrit të punëtorëve.

Kryeshefi i kompanisë “Pastrimi”, Petrit Reçica, i emëruar para një muaji, ka thënë se gjendja në të cilën e ka gjetur kompaninë është e rëndë.

“Këto shpenzimet e adresuara nga ‘Corr watch’ kanë të bëjnë sigurisht me menaxhmentin e kaluar, të cilët fatkeqësisht e kanë lënë ndërmarrjen me një gjendje të keqe financiare. Ndërkaq sa i përket kohës sa jam unë e di qe reprezentacionin e zyrës e kam 0.00 euro, sikurse besoj që do të shkoj edhe më tutje kështu derisa të kemi një stabilitet financiar”, ka thënë Reçica.

Më 25 maj, kryeshefi i kompanisë “Pastrimi” pritet të raportojë para Kuvendit Komunal të Prishtinës.