Arbëri

Azemi: Komuna duhet të jetë më aktive në rastin e NPB-së

Ish-asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Azemi, ka kërkuar që pushteti i tanishëm i Komunës së Prishtinës të jetë më aktiv dhe ta mbrojë interesin e vet në çështjen e Ndërmarrjes Publike Banesore.

Të mërkurën, Policia e Kosovës kreu bastisje në 12 lokacione të ndryshme nën dyshimin për dallavere në Ndërmarrjen Publike Banesore, lidhur me një kontratë për ndërtimin e katër objekteve afariste e banesore në vlerë prej mbi 120 milionë eurosh. Pas kësaj, pati reaguar kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, që ka thënë se anëtarët e partisë po përndiqen nga pushteti i Kurtit.

Azemi, që është një nga personat që ka deponuar kallëzimin penal në Prokurori për këtë çështje në gusht të vitit 2022, ka thënë se deklaratat e Molliqajt janë skandaloze. Ai ka thënë se faktet që ekzistojnë për këtë çështje tregojnë haptazi se kemi të bëjmë me një aferë korruptive.

“Më datë 8 gusht 2022, e kemi deponuar padinë pasi paraprakisht kemi ngritur shqetësimet e para në vitin 2021 se diçka nuk po shkon mirë në NPB. Ka qenë shumë e qartë se bëhet fjalë për aferë korruptive. Vetëm tre ditë ka qenë koha e aplikimit të kompanive për një tender 120 milionë euro, tani pas inflacionin, ka shkuar në vlerë 200 mln euro. Për një projekt kaq gjigant, NPB-ja thirrjen për aplikim e ka vendosur të pavulosur, të paprotokolluar, dhe të panënshkruar. Që në fillim e kanë dit që mund të ketë pasoja ligjore, dhe askush nuk ka marrë përgjegjësinë ta nënshkruajë thirrjen për aplikim. Shto faktin se kompania fituese ka qenë e krijuar vetëm një ditë para se ta fitonte tenderin”, ka thënë Azemi në “038” të KTV-së, duke shtuar se nëse NPB-ja e lëshon edhe një lokal 10 metra me qira, atëherë sipas tij, janë 15 ditë për aplikim e 7 ditë për ankesa.

Azemi ka thënë se nuk e kupton se si njerëzit si Molliqaj dalin me deklarata të tilla skandaloze.

“Nuk e kuptoj si kanë guximin që këta njerëz të dalin me deklarata skandaloze. Kur u pyet nga gazetarët për këtë shembullin se NPB-ja kur lëshon objekte me qira ka 15 ditë afat për aplikim, ndërsa për këtë projekt kaq gjigant ishin vetëm 3 ditë, ai tha se nuk i kam këto informacione e nuk po hy në detaje, por këto janë çështje thelbësore. Aty duhej përgjigjur”, ka thënë Azemi.

Ish-asamblisti i VV-së pati kritika për Lidhjen Demokratike të Kosovës, Partinë Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Ka thënë se këto tre parti nuk po pranojnë që të ketë një diskutim publik në Kuvendin Komunal për këtë çështje.

“Pushteti i tanishëm në deklarata për media po thotë do ia lëmë në dorë organeve të drejtësisë, ndërsa në gjykatë kanë çuar avokatë për të mos lejuar pezullimin e projektit. Komuna duhet ta mbrojë interesin e vet”, ka thënë Azemi.