Arbëri

Sharbani, fshati i “harruar” nga Komuna e Prishtinës

Nuk është larg kryeqytetit dhe si fshat i tij infrastrukturën nuk e ka siç do të duhej.

Banorët e fshatit Sharban po ballafaqohen me probleme të shumta si me mungesën e rrjetit të ujësjellësit, kanalizimit e infrastrukturën përcjellëse.

E banorëve kjo gjë po ua vështirëson jetën shumë, sidomos gjatë kësaj kohe kur ka shumë vërshime.

“Ne si lagje këtu kemi shumë probleme, sepse kemi mungesë të dy urave këtu rrjedhin tre lumenjtë dhe nuk ka urë për të kaluar. Sa herë që ka vërshime është e pakaluar për nxënës dhe për banorë sepse nuk po mund të kalojmë as me vetura. Nuk është parë e nevojshme që as këtë vit të ndahet buxhet për këtë problem që e kemi ne si fshat. Po ashtu rrugicat janë të pakalueshme sepse nuk janë të asfaltuara. Si fshat jemi më të anashkaluarit nga Komuna e Prishtinës”, thotë Isak Xhemajli, banor i fshatit. “Kemi mungesë të kanalizimit, zgjerimin e lumenjve po ashtu rrugicat, po ashtu po përballemi me mungesën e ujit të pijshëm sepse nuk është zgjatë rrjeti i ujësjellësit deri te ne. Valë nuk kemi të telefonave dhe shumë probleme të tjera”

E situata bëhet edhe më e vështirë kur dikush nga banorët sëmuret dhe ambulanca nuk shkon në shtëpitë e tyre.

“Ura që mungon në këtë pjesë po na shkakton shumë problem, sidomos kur ka vërshime. Unë e kam gjyshen shumë të vjetër dhe për shkak të sëmundjes që e ka na pamundësohet ta dërgojmë te mjeku. Për shkak të ujit e po ashtu edhe vonesat e ambulancës e në raste të tjera nuk vjen edhe fare. Mungon mjeku i fshatit tash e tre vjet nuk kemi mjek këtu”, thotë banori i tjetër Bajram Osmani.

Kjo gjendje është e papranueshme edhe për banorin Emin Isufi. Sipas tij, Sharbani është fshati me më së shumti banorë dhe është lënë kaq shumë anash nga Komuna e Prishtinës.

“Kemi vështirësi në infrastrukturë, sidomos kjo rrugë këtu është shumë në gjendje të keqe. Jemi lagjja më e banuar në Komunën e Prishtinës, përveç Makofcit dhe Llukarit me rreth 40 shtëpi as nuk kemi ujësjellës as kanalizim. Urgjentisht komuna të ndërmarr diçka sepse jemi mbet shumë keq, vetëm 5 kilometra larg Prishtinës dhe të mbesim në këtë gjendje është turp ”, thotë Isufi.

Drejtor i Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës Xhafer Tahiri, thotë që tashmë është pjesë e tenderimit rrjeti i kanalizimit dhe shtrimi i disa rrugicave, në fshatin Sharban.

“Ne për fshatin Sharban kemi tender 1.3 kilometra kanalizim, pjesën kryesore që ata e kanë problem. E që do të realizohen në kuadër të bashkësisë lokale të Sharbanit. Jemi duke e zhvilluar një projekt që është në ekzekutim e sipër, krahas mjeteve tona buxhetore ne bëjmë edhe ndarjen e mjeteve. Kërkesat e tyre i kemi pranuar dhe i kemi përcjellë për tenderim”, thotë Tahiri.

Tutje Xhaferi shtoi se procedurat janë në fazë tenderuese.

“Ne kemi koordinim të plotë me bashkësitë lokale, thjesht në momentin që e ndajmë një buxhet koordinohemi me ta. Tri rrugica komplet dhe pjesën tjetër për kanalizim ne e kemi përcjellë për tenderim, këto që janë pjesë e drejtorisë për investime kapitale. Në momentin që përzgjidhen kompanitë prej zyrës së prokurimit dhe vijnë këtu, ne fillojmë. Ne e kemi një kontratë jashtëzakonisht të mirë që pritet të nënshkruhet së shpejti e cila po përmban shtruarjen e rrugës me zhavorr dhe mbylljen e gropave në qendër dhe fshatra të Prishtinës”, thotë Tahiri.

Në anën tjetër kompania rajonale “Ujësjellësi”, thotë që problem me ujin e pijshëm në atë zonë është për shkak të infrastrukturës së keqe dhe burimeve jo të verifikuara të ujit.

“Sharbani është një zonë si shumë fshatra të tjera që kanë probleme të llojit të njëjtë që janë në zonën e Gollakut. Ne para disa muajve kemi pasur takim me përfaqësues të lartë të Komunës së Prishtinës, për mundësinë e zgjedhjes së problemit me ujin e pijshëm, të banorëve të Gollakut. Mirëpo këtu pengesë është zgjidhja e burimeve alternative. Pastaj infrastruktura është e vështirë, mirëpo ne pasi të gjejmë burime alternative, së bashku me Komunën e Prishtinës, duhet të bëjmë një studim të fizibilitetit për ato zona. E pastaj komuna së bashku me ne duhet të investojë në kyçen e rrjetit të ujësjellësit pas studimit dhe ne pastaj do ta marrim në menaxhim dhe mirëmbajtje atë pjesë”, thotë Arjeta Mjeku zëdhënëse në KRU “Prishtina”.

Në mungesë të urave adekuate dhe shtratit jo të mirë të lumit, banorët e këtij fshati pak javë më parë u përballën me vërshime, që të njëjtat iu shkaktuan dëme të shumta në kultura bujqësore.