Arbëri

Prishtina me më shumë drejtori sesa Qeveria ministri

Descriptive Text

Kryetari i Komunës, Përparim Rama, ka themeluar të enjten Drejtorinë e Sigurisë dhe Emergjencave të Kryeqytetit, ndonëse ajo në kompetencë ka vetëm shërbimin shëndetësor urgjent, pasi që zjarrfikësit dhe policia bien në kompetencë të nivelit qendror. E kjo drejtori me kompetenca të pakta është caktuar që të udhëhiqet nga Lulzim Fushtica

Përderisa Qeveria i ka pesëmbëdhjetë ministri për menaxhimin e problemeve në gjithë Kosovën, Komuna e Prishtinës që nga e enjtja e ka rritur në 17 numrin e drejtorive për trajtimin e çështjeve të kryeqytetit.

Kryetari i Komunës, Përparim Rama, ka themeluar Drejtorinë e Sigurisë dhe Emergjencave të Kryeqytetit, ndonëse në kompetencë ka vetëm shërbimin shëndetësor urgjent, pasi që zjarrfikësit dhe policia bien në kompetencë të nivelit qendror. E kjo drejtori me kompetenca të pakta është caktuar që të udhëhiqet nga Lulzim Fushtica.

Duke e prezantuar planin e funksionimit të drejtorisë së re, Rama ka bërë të ditur se në përgjegjësi të saj do të jetë edhe përgatitja e themelimit të policisë së kryeqytetit.

“Disa nga përgjegjësitë e Drejtorisë janë: Drejtoria përgatitet për themelimin e policisë së kryeqytetit në harmoni me ligjin për kryeqytetin, përkujdeset për aspektin e sigurisë në aspektin rural dhe urban të kryeqytetit, identifikimin dhe ofrimin e sigurisë, si dhe koordinim në aspektin lokal, themelon njësi të veçanta bazuar në nevojat e kryeqytetit, koordinimin me agjencinë për menaxhimin e emergjencave, e kështu me radhë”, ka theksuar Rama.

E Fushtica ka thënë se drejtoria që do të drejtohet prej tij do të bashkëpunojnë ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me agjencitë e tjera.

“Do të bashkëpunojmë ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit, por fokus do të jetë qytetari, se të gjitha brengat do t’i adresojmë. Sa më drejt e sa më mirë do t’i adresojmë të gjitha çështjet”, ka thënë ai.

Por në iniciativën për progres, INPO-ja e ka kualifikuar të panevojshme krijimin e kësaj drejtorie.

“Gjatë praktikave të mandateve të kaluara kemi parë se krijimi i drejtorive të reja nuk ka sjellë ndonjë efikasitet të madh brenda Komunës. Besoj që më e drejtë do të ishte që këto mjete të investoheshin direkt në siguri dhe emergjenca dhe jo investimi direkt në një drejtori, sepse deri më tani nuk kemi hasur në një drejtor që është ankuar se nuk po mund të kryejë punët dhe nuk po ia del dot. Krijimi i drejtorisë së re mendojmë që është gabim në formën siç është bërë sot. Është dashur që një vendim i tillë të kalojë nëpër Kuvend Komunal dhe të bëhet edhe me miratimin e asamblistëve, dhe jo të bëhet direkt nga kryetari i Komunës së Prishtinës”, ka thënë Leorentina Alija nga kjo iniciativë.

Sikurse pati paralajmëruar edhe në fillim të mandatit të tij, Rama ka thënë se në të ardhmen pritet që të formohet edhe drejtoria e 18-të, që do të quhet “Qyteti i mençur”.

Ligji për kryeqytetin ia lejon Ramës krijimin e një numri të pakufizuar të drejtorive, përderisa i jep po ashtu të drejta ekzekutive edhe në emërimin dhe shkarkimin e drejtorëve.