Arbëri

Shndërrimi i banesave në lokale rrezikon ndërtesat e vjetra gjatë tërmetit

Nga tërmeti i fundit në Turqi dhe Siri numri i të vdekurve ka shkuar mbi 22 mijë persona, përderisa ekipet e kërkim-shpëtimit janë duke vazhduar për të gjetur edhe shumë persona të tjerë që po konsiderohen të zhdukur. Rrënimet e ndërtesave bënë që mijëra qytetarë të të këtyre shteteve të mbesin nën gërmadhat e tyre.

E sipas ekspertëve, si vend që ka kontakt me dy pllaka të mëdha tektonike, Kosova konsiderohet si regjion i rrezikuar nga tërmetet.

Por sa janë të sigurta ndërtesat në Prishtinë, në raste të tërmeteve?

Ndërtesat e vjetra të kryeqytetit sidomos ato në Ulpianë kanë pësuar ndryshime të mëdha. Duke bërë intervenime për shndërrimin e katit përdhes në biznese të ndryshme, janë larguar shumë mure bazë të ndërtesave.

Për këto ndërtesa të kësaj lagjeje ka pasur edhe rekomandim për intervenim pasi për shkak të sistemit konstruktiv të ndërtimit, ato janë në disfavor në raport me sizmiken. Këtë e thotë edhe vet drejtori i Urbanizmit në komunë të Prishtinës, Arbër Sadiki, duke shtuar se ndërtesat e reja janë më të sigurta se ato të vjetra në rast të ndonjë tërmeti.

“Sa për sqarim nuk mundet t’i përballojë më shumë tërmetit një ndërtesë që është ndërtuar para luftës, sidomos pjesa e Ulpianës me ura mbajtëse, me sisteme konstruktive të cilat janë shumë më në disfavor në raport me sizmiken, sesa një ndërtesë që projektohet sot dhe ka bërthamën e ngurtë dhe sistemin skeletor dhe shumë e shumë të tjera që e kanë shumë më të lehtë të përballojnë një shkundje apo tërmet. Përpos që sistemi konstruktiv që e kanë që nuk është më i miri për t’u përballur më shumë, kjo e rëndon edhe më shumë faktin që një numër jo i vogël i tyre në katet përdhese nuk kanë më mure mbajtëse dhe aty ku e kanë sforcimin më të madh aty janë më së dobëti dhe mundësitë për të pasur probleme janë shumë reale”, ka thënë Sadiki.

Përkundër se janë në dijeni të këtij rreziku, komuna thotë se intervenimi është i vështirë pasi nuk kanë një incizim të gjendjes faktike.

“Ne si shoqëri nuk kemi një incizim të gjendjes faktike dhe të gjitha intervenimet që janë bërë sidomos të atyre pa leje sepse nuk është numër i vogël. Nuk kemi databazë që të dimë si është intervenuar, e dimë çfarë leje janë lëshuar, por të dhënat e intervenimeve pa leje nuk i kemi dhe shumica janë të tilla dhe ne nuk e dimë se çfarë mund të ndodhë në rast të ndonjë tërmeti”, ka deklaruar drejtori i Urbanizmit në kryeqytet.

Që nga ardhja e tij në krye të kësaj drejtorie, ai thotë se megjithëse ka pasur shumë kërkesa për ndërrim destinimi të banesave përdhes nuk ka dhënë një leje të tillë.

Ndërsa ditëve të sotme, sipas Sadikit, asnjë investitor nuk pajiset me leje ndërtimi pa e përmbushur edhe normën sizmike, por pranon se ka çalime në mbikëqyrje.

“Brenda grupit kemi edhe inxhinier të strukturës të cilët kontrollojnë nëse i plotëson edhe normat në raport me sizmiken. E gjithë kjo kalon dhe implementohet në terren dhe mbikëqyret nga Inspektorati dhe përfundon me një raport final nëse ndërtesa është ndërtuar komfor këtij projekti ose jo. Dhe ai raport vjen tek ne për t’u pajisur me certifikatë të përdorimit... normalisht i gjithë procesi i mbikëqyrjes nuk është që është më i mirë dhe këtu ka vend për angazhim dhe përmirësime. Por strukturalist kur i sheh se si janë të zgjidhura në kuptimin projektues nuk mund të themi se nuk merren parasysh normat sizmike”, ka shtuar Sadiki.

Për cilësinë e ndërtimeve në Prishtinë, qytetarët kanë mendime të ndryshme.

“Kur e pamë tërmetin në Turqi, që ra banesa... disa banesa janë me material më të mirë, sidomos të vjetrat...”, ka thënë një qytetare.

“Ishalla nuk bëhet. Nëse ndodh, mund të ndodhë gjithçka. Ato që janë ndërtuar më të reja, sipas parametrave, kanë shpëtuar”, ka deklaruar një tjetër.

“Mund ta shohim vetëm brenda, konstruksionin nuk e dimë. Shpresojmë të jenë në nivel të duhur. Për momentin jemi të kënaqur e do të ishte mirë që inspektorët të shtojnë inspektimet që të shohin çka po ndodh në botë, që konstruktimet të jenë më të mira”, ka thënë një tjetër qytetar.

Përveç intervenimeve në fasada, asnjë investim nuk është bërë në këto ndërtesa të vjetra të “Ulpianës”.