Arbëri

Komuna e Prishtinës diskriminon skamnorët, ul buxhetin për shujta

Descriptive Text

Presin në radhë për të marrë ushqimin falas që e ofron Komuna e Prishtinës.

Mirëpo Ardian Syla dhe të tjerët që nuk kanë kartelë të skemës sociale mund të marrin këtë ushqim vetëm nëse tepron, pasi të kenë marrë personat me skemë sociale.

Megjithëse në mandatin e kaluar kjo ishte një nismë për dhënien e ushqimit për të gjitha familjet që kanë nevojë, që nga nëntori që lamë pas, shumë qytetarëve të Prishtinës edhe pse kanë nevojë për ndihmë, po iu mohohet e drejta për marrjen e ushqimit. Në bazë të një vendimi të Komunës së Prishtinës, nga këto shujta përfitojnë vetëm familjet me skemë sociale, por jo edhe skamnorët e tjerë që nuk kanë librezë të kësaj skeme.

Syla ankohet se shpeshherë ai po mbetet pa ushqim, edhe pse nuk ka zgjidhje të tjera se si ta sigurojë ushqimin për familjen e tij. E përveç kësaj, ai thotë se e kanë përgjysmuar edhe dhënien e shujtës.

“Unë kartelë të socialit nuk kam. Këta që janë me kartelë të socialit janë të parët, ndërsa ne të tjerët pa kartelë të socialit shumicën e radhës nuk marrim, nuk mbetet. Edhe e kanë ndarë bukën përgjysmë. Përpara i sillnin 2-3 kova të mëdha, ndërsa tani e sjellin 1 kove- 1kovë e gjysmë. Edhe ushqimi është shumë më i dobët se që ka qenë përpara. Unë jam punëtor ditor herë punoj e herë nuk punoj. Ku me marrë? Unë tjetër zgjidhje nuk po kam vetëm të vij këtu dhe të marr ushqim”, thotë Syla.

Edhe kur arrin të marrë ushqimin, ai thotë se një plastikë e vogël nuk po i mjafton për familjen e tij 5-anëtarëshe.

“Në social kam aplikuar dhe më kanë thënë se ti je në gjendje pune dhe nuk të takon sociali, por si nuk më takon kur nuk gjej punë. Edhe kur kam gjetur punë në dy-tre vende më kanë mbetur borxh, por duhet me vazhdu. Ne jemi 5 anëtarë të familjes dhe ushqim marr për vetëm 2 veta. E kam një plastikë të vogël, nganjëherë e mbushin veç gjysmë, s’del send”, thotë ai.

Ai thotë se ka bërë disa herë ankesa në Komunë, porse nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Komuna e Prishtinës thotë se këtë vendim e kanë marrë në mënyrë që nga këto ndihma të përfitojnë vetëm qytetarët që kanë skemë sociale.

Drejtoresha e Mirëqenies Sociale, Adelinë Sahiti, thotë se ky vendim është ndërmarrë pas ankesave të shumta.

“Në nëntor të vitit të kaluar, në vitin që lamë pas, kemi marrë vendim që ta legjitimojmë dhënien e shujtave për banorët e Komunës së Prishtinës, duke pasur parasysh rastet e shumta të ankesave që i kemi marrë nga rastet sociale, të cilët disa herë na kanë thënë që kanë qenë të përjashtuar për shkak të numrit të madh të personave që kanë ardhur të marrin ushqimin e të cilët nuk kanë qenë raste sociale, për të cilat ne edhe përmes veprimeve dhe rrethanave të ndryshme kemi parë që nuk janë qytetarë të skemës sociale, por janë qytetarë të shtresës së mesme e të cilët e kanë marrë ushqimin e gatshëm që ne e ofrojmë si Drejtori e Mirëqenies Sociale”, deklaroi Sahiti.

Ky nuk është vendimi i vetëm që ka ndërmarrë kjo drejtori e që nuk po iu pëlqen qytetarëve. Nga 500 shujta, tani shpërndahen vetëm 300, megjithëse në Prishtinë janë 1200 raste me skemë sociale.

Sahiti thotë se kanë plane të tjera për personat që kanë nevojë.

“Ne kemi vendosur që këto shujta t’i japim vetëm për 300 familje, për rastet sociale, për shkak se duam që vërtet ndihmesa të cilën e ofrojmë të shkojë aty ku duhet. Fatkeqësisht kemi edhe raste të tjera të cilët kanë nevojë, por nuk janë përfitues të skemës sociale, e kuptojmë. Por jemi duke hartuar politika që edhe qytetarët që nuk janë pjesë e skemës sociale të përfitojnë shujta, por në një mënyrë tjetër. Këtë do ta bëjmë me njërën prej organizatave të Komunës së Prishtinës do ta funksionalizojmë dyqanin social, dyqanin humanitar, i cili do të ketë për qëllim që qytetarët edhe pse nuk janë në raste sociale të shkojnë përmes kuponëve të furnizohen me ushqime të domosdoshme për jetesë. Këtë do ta bëjmë shumë shpejt, jemi në fazat finale të draftimit dhe të marrëveshjes. Projekti është bërë, është i gatshëm dhe shpresoj shumë që nga periudha e parë e këtij viti qytetarët tanë të përfitojnë nga ky projekt”, thotë ajo.

Megjithëse kjo drejtori pati filluar shpërndarjen e këtyre shujtave me paketime të ambalazhuara, një gjë e tillë nuk po bëhet më. Qytetarët i sjellin enët me vete për të marrë gjellët që shërbehen nga Kuzhina Qendrore.

E për këtë, drejtoresha për mirëqenie sociale thotë se janë detyruar të nisin procedurat e shkëputjes së kontratës me kompaninë për shkak të vonesave të shpeshta.