Arbëri

Banorët bllokojnë qasjen e kombibusëve, thonë se Policia e Komuna po i neglizhojnë

Descriptive Text

Banorët e bllokut 5/8 të Dardanisë, sot në orën 16:00, do të bllokojmë qasjen e kombibusëve ilegal në lagjen përmes “Orës së Kurrizit” dhe rrethrrotullimit te Shkolla Fillore "Xhemail Mustafa" që gjendet prapa banesave të gjelbra.

Në njoftimin e dërguar nga banorët, thuhet se ka pasur ankesa të shumta drejtuar Policisë së Kosovës dhe Komunës së Prishtinës, porse, siç thuhet në njoftim, ata i kanë neglizhuar.

“Ju ftojmë të merrni pjesë ose ta mbikëqyrni këtë aksion i cili ndodhë si rezultat i revoltës ndaj autoriteteve për neglizhimin e këtij problemi shumë të madh për komunitetin tonë (pos reagimeve sporadike të Policisë së Kosovës dhe Inspektoratit të Komunës së Prishtinës pas ankesave tona të panumërta”, thuhet në njoftim.

Tutje, thuhet se “kombibusët, drejtuesit e tyre dhe udhëtarët, pos që operojnë plotësisht jashtë ligjit, po krijojnë probleme për parking të banorëve, bërllog dhe mbetje tjera johigjienike, si dhe janë bërë pengesë elementare për qarkullim të makinave dhe këmbësorëve. Në shumë raste, makinat e tyre dhe vet ngasësit, kanë qenë edhe kërcënim fizik për mirëqenien e banorëve të lagjes sonë”.

“Duke u munduar t'i kuptojmë arsyet ekonomike të cilat i kanë shtyer drejtuesit e kombibusëve të dalin në rrugë, ne mund të ju ofrojmë ndihmë për qasje deri te institucionet përkatëse për adresimin e problemit të tyre. Por, prej 1 gushtit ne nuk do të lejojmë që lagja jonë të shfrytëzohet për operimin e tyre. Aksioni jonë do të vazhdoj deri në zgjidhje përfundimtare të këtij problemi”, përfundon njoftimi.