Arbëri

Fshatrat e Prishtinës rrisin sipërfaqet e mbjella me grurë

Zymer Gashi ka bërë përgatitjet e fundit për të mbjellë në më shumë se 1 hektarë e gjysmë grurë.

Në tokat e tij në fshatin Drenovc, Gashi kultivon grurin për nevojat e familjes së tij.

Madje ai tashmë ka rezerva gruri në rast të krizave të tjera botërore.

Shtimi i bujqve që kultivojnë grurin është synim kryesor i Komunës së Prishtinës.

Fermerët si Gashi ata i subvencionojnë me nga 500 euro për hektarë.

Drejtori i Bujqësisë, Plator Gerdovci thotë se nga ndihma mund të përfitojnë ata që kanë nga 50 ari deri në 2 hektarë.

Koncentrimin te gruri e ka parë si me ndikim pozitiv.

“Ka dyfishim të hapësirës së mbjellë me grurë. Kemi rreth 771 hektarë të mbjellë deri më tani e që është dyfishi i herës së kaluar. Kjo është si pasojë e ndihmës që ne japim. Pak më shumë se 500 euro për një 1 hektarë e që i bie mbulim i 80 për qind të subvencioneve sepse mbjellja kushton diku rreth 600 euro”, tha Gerdovci.

Por koncentrimi i Komunës te gruri e ka lënë pa përkrahje Avni Lecin nga Barileva, i cili në motin e mirë të vjeshtës mbolli qepë.

Leci thotë se në serat e tij gjatë verës e kultivon domaten e në hapësirat e jashtme edhe pataten.

Por kjo kulturë bujqësore me të cilën njihet Barileva tashmë po zëvendësohet me speca e preshë.

Komuna e Prishtinës thotë se do të subvencionojë edhe blegtorët me 10 cent për litër qumësht.