Arbëri

Kopshti s’e njoftoi Policinë për sulmin ndaj 4-vjeçarit, problemin me qentë s’e adresoi në komunë

Drejtoresha e kopshtit “Gëzimi ynë”, Indira Huruglica, nuk i vë faj askujt për sulmin e qenit endacak ndaj fëmijës 4-vjeçar në oborrin e këtij institucioni. Ajo ka thënë se tash e tutje do ta shtohet kujdesi sa i përket sigurimit të hapësirave brenda kopshtit.

Në një përgjigje për KOHËN, Huruglica, ka thënë se policia nuk është njoftuar për rastin, pasi sipas saj, është cilësuar më e rëndësishme që të njoftohet ndihma e shpejtë dhe të trajtohet fëmija.

Ajo tha se ndodhet jashtë vendit.

“Policia dje (e hënë) nuk është njoftuar për rastin, sipas informatave që i kam, nuk e kam informatën pse, janë marrë me fëmijën dhe shëndetin e tij dhe sigurisht iu ka ikë ai detaj, por e rëndësishme ka qenë ta thërrasin ndihmën e shpejtë dhe ta trajtojnë fëmijët sa më shpejt”, ka thënë ajo.

Edukatorja, e cila po kujdesej për fëmijët në kohën kur ka ndodhur sulmi, sipas Huruglicës, ka reaguar menjëherë.

“Edukatorja ka reaguar menjëherë, e ka tërhequr fëmijën, sigurisht e ka rrezikuar edhe veten, fëmija ka marrë ndihmën e parë dhe tani është në shtëpi”, ka thënë ajo.

Fëmija u kafshua në dy vende në këmbë, të hënën rreth orës 15:00. Njërën plagë e ka më të madhe.

Drejtoresha e kopshtit “Gëzimi ynë”, ka thënë se ka pasur edhe raste të tjera kur qentë endacakë kanë hyrë brenda oborrit, por janë larguar nga shtëpiaku i çerdhes.

“Pjesë e aktiviteteve ditore janë edhe ato në oborr, kopshti njihet që bën aktivitete në oborr, edukatorja ka qenë me fëmijë në rutinat e përditshme në oborr sepse fëmijët dalin në çfarëdo moti”, ka thënë ajo.

Huruglica ka shtuar se Komuna e Prishtinës është në dijeni për rreziqet që paraqiten nga qentë endacakë, por pranoi se nuk i është drejtuar asnjëherë me letër zyrtare.

“Ne kemi përvoja kur personat përgjegjës i kanë marrë për kastrim dhe i kanë lëshuar prapë. Nuk mund ta bëj fajtor askënd për këtë rast, por nuk është që nuk kemi lajmëruar më herët në komunë, ndoshta nuk e kemi bërë me email, sepse nuk na ka ndodhë më herët. Do të vazhdojmë me kujdes më të shtuar dhe të sigurohemi që dyert e oborrit t'i kemi të mbyllura, sidomos kur fëmijët të jenë jashtë”, ka thënë ajo.

Ky është rasti i 58-të i sulmeve nga qentë endacakë në Prishtinë, bazuar në të dhënat e Policisë së Kosovës që nga fillimi i këtij viti. 52 prej tyre, kanë pësuar lëndime.